Search

Prodhuesit turq të çelikut investojnë masivisht në energjinë solare me qëllim dekarbonizimin

20 Gusht, 2024


Tosyalı Demir Çelik dhe Yazıcı Demir Çelik po ndërtojnë centrale solare që do të mbulojnë të gjitha nevojat e tyre për energji elektrike. Kjo do t’u japë një avantazh në eksportimin e produkteve të tyre në Perëndim, pasi do të përjashtohen nga taksat e kufirit të karbonit.

Tosyalı Demir Çelik po investon 48.3 milionë euro në ndërtimin e një centrali solar me kapacitet prej 88 MW në Toprakkale, në provincën Osmaniye. Projekti pritet të përfundojë brenda 17 muajsh dhe do të furnizojë fabrikën e tyre të prodhimit me 245 GWh energji në vit, raporton Balkan Green Energy News.

Yazıcı Demir Çelik, pjesë e Diler Holding, ka nënshkruar një marrëveshje me YEO Teknoloji për ndërtimin e centraleve solare prej 50 MW në Afyon dhe 60 MW në Ankara. Marrëveshja përfshin të gjitha fazat e projektit, nga gjetja e lokacionit deri tek ndërtimi i plotë.

Të dy prodhuesit turq të çelikut po përdorin furra elektrike, që janë më të lehta për t’u dekarbonizuar dhe kanë emetime më të ulëta të gazrave serrë, përcjell Kosovo.Energy.

Kjo do t’u mundësojë atyre të përjashtohen nga taksat e karbonit në Perëndim dhe të forcojnë pozicionin e tyre në tregun global.

/Kosovo.Energy