Pas 35 ditësh, sërish të gjitha termocentralet e Kosovës në prodhim
August 20, 2024
Gjendja aktuale me të gjitha njësitë prodhuese aktive në prodhim do të zgjasë vetëm disa ditë, sepse KEK-u ka planifikuar që pas 10 ditësh, më saktësisht më 28 gusht 2024, sikundër B1-shin ta dërgojë në remont të planfikuar edhe bllokun B2. Riparimi i planifikuar edhe në njësinë e dytë të Kosova B, do të zgjasë 35 ditë.
Dje, pas remontimit të planifikuar 35 ditësh është rikthyer në operim normal, që do të thotë ka nisë të prodhojë energji elektrike, edhe blloku B1 i termocentraleve Kosova B. Riparimi i kësaj njësie është realizuar saktësisht sipas planifikimit paraprak nga KEK-u.
Që ditën kur në këtë bllok ka filluar remonti (më 15 korriik 2024), është thënë se të gjitha punët riparuese do të përfundojnë më 18 gusht, dhe pikërisht me këtë datë, dhe pas 35 ditësh, janë finalizuar punët e remontit dhe kjo njësi, të dielën, më 18 gusht, është rikthyer në prodhim, dhe siç thuhet në njoftimin e KEK-ut “gjendja e B1 është stabile dhe njësia tashmë është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik të Kosovës”.
KEK-u me rastin e rikthimit në prodhim ka thënë se: “Përfundon remonti i rregullt vjetor, njësia B-1 është kthyer në operim sot, me datë 18.08.2024, pas përfundimit të testimeve të rregullta para startimit, njësia B-1 e Termocentralit Kosova B, është kthyer në operim normal, gjendja e saj është stabile dhe njësia tashmë është sinkronizuar me rrjetin. Pra, falë angazhimit dhe vullnetit të të gjithë stafit të termocentraleve Kosova B, rezulton që në këtë njësi kanë përfunduar me sukses të gjitha punimet të cilat ishin planifikuar në remontin e rregullt vjetor”. Në këtë mënyrë, sot, për herë të parë pas 35 ditësh, janë duke prodhuar të katër termocentralet ekzistuese të Kosovës, të cilat përkundër vjetërsisë së madhe, ende janë bartëse të prodhimit të energjisë elektrike të nevojshëm për konsumin e vendit.
Tani, në prodhim gjenden blloqet A3 dhe A5 të të termocentraleve Kosova A me gjithsej 260 megavatë-orë, ose secili bllok nga 130 megavatë dhe B1 e B2 të Kosovës B me nga 260 megavatë orë secili, ose rreth 520 megavatë gjithsej. Bashkarisht të gjitha termocentralet aktive të vendit (A3, A5, B1 dhe B2) prodhojnë diku rreth 780 megavatë-orë energji elektrike dhe kësaj sasie kur t’i shtohen edhe dhjetra megavatë nga kapacitetet ekzistuese të energjisë së rinovueshme (parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës), del që të përmbushen nevojat edhe të shtuara të konsumit të vendit si rrjedhojë e kohës së gjatë me temperatura enorme të larta.
Sipas zyrtarëve të KESCO-s, këtyre ditëve është rritur goxha ndjeshëm shpenzimi i energjisë elektrike si rrjedhojë e temperaturave ekstremisht të larta. Zëdhënësja e KESCO-s, Margarita Rashiti, ka thënë se gjatë gushtit, në shumë ditë, konsumi në orët e pikut ka arritur te 800 megavatëshi. Kjo është gjendja momentale elektroenergjetike në Kosovë pas rikthimit të B1-shit, por kjo gjendje do të zgjasë vetëm disa ditë, sepse, KEK-u ka planifikuar që pas 10 ditësh, më saktësisht më 28 gusht 2024, sikundër B1-shin ta dërgojë në remont të planfikuar edhe bllokun B2. Riparimi i planifikuar edhe në njësinë e dytë të Kosovës B, do të zgjatë 35 ditë.
“Të gjitha këto punë të mëdha riparuese të planifikuara po bëhen me qëllim të mbajtjes në gjendje të mirë teknike të termocentraleve, ruajtjes sa është e mundur të freskisë së tyre, në mënyrë që gjatë sezonit të dimrit, të jenë sa më të gatshme për operim”, ka thënë Skënder Bucolli sot për Buletinin Ekonomik.
Sipas tij, mirëmbajtja e mirë kapaciteteve ekzistuese është e domosdoshme për të qenë më të gatshme teknikisht për ta mbajtur stabil sistemin elektroenergjetik të vendit gjatë dimrit.
/Buletini Ekonomik