Search

Në vitin 2024 përfundojnë investimet e nevojshme në Kosova B

04 Shkurt, 2022


Drejtori Ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, ka diskutuar për planet dhe kostot e investimeve lidhur me projektet për termocentralin ‘Kosova B’.

Ndërrimi i elektrofiltrave ishte paraparë të bëhej gjatë vitit 2022, por Krasniqi tha se ky projekt nuk do të realizohet këtë vit pjesërisht për shkak të kulmit të krizës energjetike, por edhe për shkak se vështirësitë tjera teknike që i paraprijnë këtij projekti po kërkojnë vëmendje më urgjente.

Këto komente, Krasniqi i bëri gjatë emisionit ‘Kallxo Pernime’ në kuadër të kallxo.com.

“Unë kur kam ardhur e kam gjetur një plan që elektro-filtrat dhe impianti për denox, do të instalohet në vitin 2022, në B2 dhe 2023 në B1”, tha ai.

“Kjo ka implikuar që blloku të ndalet për 10 muaj. Edhe kjo ka qenë e papranueshme në pikun e krizës energjetike. Ky projekt, është i kontraktum dhe i financum nga Bashkimi Evropian, dhe shuma e këtij projekti gati tejkalon 85 milion euro”, theksoi ai.

“Pasi është nënshkuar kontrata dhe është bërë inspektimi i kompanive koncerciumi që ka fituar tenderin, është konstatu që ka probleme tek kalldaja të cilat kërkojnë punë paraprake para se të implementohet projekti kryesor”, sqaroi Krasniqi.

Krasniqi ka shpjeguar se shpenzimet shtesë, siç janë këto vështirësi teknike që nuk janë vërejtur më parë, do të mbulohen nga KEK-u ose nga Qeveria e Kosovës.

Krasniqi po ashtu ka treguar se në muajin mars pritet të nënshkruhet kontrata për këtë projekt.

“Edhe normalisht që kur është bërë kjo marrëveshje KEK’u dhe Qeveria e Kosovës, kanë marrë zotim që nëse do të ketë punë shtesë, këto të financohen nga KEK’u apo nga Qeveria”, tha ai.

“Dhe këto punë shtesë, pastaj, na kanë bërë problem sepse ky projekt ndërlidhet me projektin kryesor ka qenë pothuajse parakusht që ta bëjë kompania e cila ka qenë pjesë e konserciumit”, theksoi Krasniqi.

Investimet i shtojnë 15 vite jetë termocentralit

“Edhe në një mënyrë na ka vendosur në një pozicion jo të mirë, në kuptim të negociatave”, tha ai.

“Ne kemi provuar që të bëjmë një marrëveshje me atë kompani, megjithëse ka qenë më procedura një burimore, por përshkak të problematikës kohore është dashur të tentojmë të bëjmë një marrëveshje të arsyeshme dhe nuk kemi arritur”, sqaroi Krasniqi.

“Pastaj, cfarë kemi bërë ne, e kemi anuluar process një burimor, dhe tani kemi shpallur një tender me më shumë kompani, dhe pritet që deri në fillim të marsit të nënshkruhet kontrata për projektin”, tha ai.

Pas gjithë kësaj, Krasniqi sqaroi se kjo nuk nënkupton që janë humbur paratë e BE-së të dedikuara për ndrrimin e elektro-filtrave në termocentralin Kosova B.

Porse, projekti është shtyer për vitin 2023 dhe vitin 2024.

“Cfarë kemi bërë ne tash, është se jemi marrë vesh me BE-në që projekti kryesor të bëhet në dy llote do të thotë në dy vite, pra është shtyer për vitin 2023 dhe vitin 2024, në mënyrë që ne në vitin 2022 t’a bëjmë punën paraprake”, tha ai.

Po ashtu, drejtori i KEK-ut pranoi se kjo nuk do të jetë investimi i fundit në këtë termocentral, pasi ka nevojë për modernizimin e turbinës së gjeneratorit.

Megjithatë, ai vuri në dukje se këto investime do të zgjasin jetëgjatësinë e funksionimit të termocentralit për 10 deri në 15 vjet.

“Sigurisht që po. Ne planifikojmë të bëjmë modernizimin edhe të turbinës së gjeneratorit. Kjo pritet në tërësi, që në 10-15 vitetet e ardhshme të jetë në operim.