Search

Murati: Udhëheqësit e kaluar e bënë KOSTT-in përgjegjës për rrymën në veri

07 Maj, 2021


Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati përmes një shkrimi në rrjete sociale ka sqaruar vendimin e Kuvendit për të paguar rrymën në veri duke bërë të ditur se KOSTT nuk do të duhej të paguante energjinë elektrike për serbët e veriut, por se kjo është një barrë dhe problem i cili është bartur nga qeverisja e LDK-së dhe PDK-së.

‘Për humbjet në veri, përgjegjës do të duhej të ishte KEDS/KESCO, sepse KESCO duhet të mbledhë faturat atje, ka thënë Murati në rrjete sociale. ‘Por ja që bordi i ZRRE-së, në prill të vitit 2017, i përbërë gjysma PDK e gjysma LDK, kishte vendosur që në vend të KEDS-it, barrën e veriut t’ia vendosnin ndërmarrjes publike KOSTT’, ka thënë Murati në rrjete sociale.

Kuvendi miraton rekomandimet e Komisionit për mbulimin e humbjeve për rrymën në veri

Lexo më shumë

Ai ka thënë se përmes vendimit të ditës së djeshme, Kuvendi i ka mundësuar KOSTT-it të respektojë marrëveshjen me ENTSO-e, dhe Kosovës të ruajë pavarësinë energjetike.

‘Si bllok rregullues i pavarur, Kosova duhet të mbajë përgjegjësi për kufijtë e vet, dhe të respektojë marrëveshjen me ENTSO-E. Me fjalë tjera, energjia që kalon tranzit nëpër territorin tonë, aq sa hyn në veri, aq duhet të dalë në jug. Përndryshe llogaritet shfrytëzim i pa-autorizuar i energjisë, dhe shkilet marrëveshja me ENTSO-E’, ka sqaruar Murati në rrjete sociale.

Ai tutje ka thënë se këtë problem do ta zgjidhin por se fillimisht, duhet një bord i ri i ZRRE-së.

REL: Për tre vjet, 40 milionë euro humbje të energjisë në veri

Lexo më shumë

‘Këtë problem, si shumë probleme tjera që na i kanë lënë do ta zgjidhim, por problemet e lidhura nyje për 20 vite nuk zgjidhen për një muaj. Hapi i parë drejt zgjidhjes së ketij problemi do të jetë përzgjedhja e një bordi të ri të ZRRE-së me anëtarë me integritet, dhe që e duan shtetin’, ka thënë Murati në rrjete sociale.

Me shumicë votash, deputetët kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

68 deputetë kanë qenë të pranishëm në sallën e Kuvendit ndërkaq 61 kanë votuar pro.