Miratohet raporti vjetor i KOSTT, asnjë votë kundër
June 21, 2022

Në mbledhjen e rregullt, anëtarët e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti kanë miratuar raportin vjetor të KOSTT.
Gjatë raportimit të tij, kryesuesi i bordit të KOSTT, Jeton Mehmeti, paraqiti sfidat me të cilat është përballur kjo ndërmarrje, si dhe më në detaje shpjegoi pasqyrën financiare dhe vendimet e marra gjatë vitit 2021.
Mehmeti tha se pandemia ka ndikuar negativisht si dhe përkundër faktit se pagesa e energjisë elektrike po bëhet me faturim më të lartë, kriza ende nuk është kaluar.
Pas një diskutimi mes të dy palëve, anëtarët e komisionit miratuan raportin, me asnjë votë kundër.
Mehmeti tha se përkundër performancës pozitive të KOSTT-it, sfida më e madhe ishte mungesa e mbulimit të humbjeve të konsumit për pjesën veriore të Kosovës.
“Sfidë e madhe përkundër sfidës energjetike për KOSTT mbetet mungesa e mbulimit të humbjeve të konsumit për pjesën veriore të Kosovës ku përgjegjësia e pa adresuar brenda Kosovës si rezultat i vendimeve gjyqësore mbetet e pa trajtuar dhe mbetet barrë e madhe për ne”, tha Mehmeti.
Nuk kalon mocioni për shkarkim të Bordit të ZRRE-së
Ndryshe, anëtarët e komisionit diskutuan lidhur me mocionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për shkarkimin e bordit të ZRRE-së.
Përkundër debatit, ky mocion nuk gjeti mbështetje nga shumica e deputetëve, andaj edhe si i tillë nuk u miratua.