Search

Nuk kalon mocioni për shkarkim të Bordit të ZRRE-së

June 21, 2022


Me 3 vota për e 6 kundër, nuk kaloi mocioni i paraqitur nga LDK-ja për shkarkimin e Bordit të ZRRE-së.

Komisioni për Ekonomi ka shqyrtuar në mbledhjen e së martës mocionin e grupit parlamentar të LDK-së për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Mocioni ishte paraqitur nga grupi parlamentar i LDK-së, me pretendimin se ZRRE-ja nuk e ka marrë parasysh paralajmërimin e tyre për krizë dhe se me vendimin për shtrenjtim të energjisë elektrike, se ka bërë shkelje dhe diskriminim të konsumatorëve.

VV-ja tha se kërkesa për shkarkim të Bordit të ZRRE-së nuk ka bazë ligjore, pasi që Ligji për ZRRE-në parasheh rastet kur bëhet shkarkimi.

Opozita: Pushteti nuk mori parasysh paralajmërimet tona për krizën energjetike

Deputetja e kësaj partie, Velentina Bunjaku-Rexhepi, ka thënë se kur LDK-ja ka paralajmëruar krizën energjetike, ZRRE-ja nuk e ka marr parasysh.

Ajo ka përmendur vendimin e ZRRE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike, duke thënë se ka pasur shkelje dhe diskriminim të konsumatorëve.

Sipas saj, me vendimin për tarifa të reja janë lënë jashtë komunat veriore duke diskriminuar qytetarët tjerë.

Kusari – Lila ka thënë se kryetari i Bordit të ZRRE-së gjatë raportimit e ka paramenduar që pjesa veriore nuk përfshihet, por ka harruar të përmendë që ajo pjesë nuk faturohet fare.

Ka shtuar se kjo çështje nuk është zgjidhur nga qeveritë e kaluara.