Search

Miratohet Ligji për Promovimin e Përdorimit të Burimeve të Ripërtërishme të Energjisë

08 Prill, 2024


Me shumicë votash në Kuvendin e Republikës së Kosovës është miratuar Ligji për Promovimin e Përdorimit të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë (BRE).

Me aprovimin e Ligjit për BRE, Kosova bën dallimin nga shumica e shteteve të rajonit, duke krijuar një kornizë ligjore që vë në qendër burimet e pastra të energjisë, ku përmes tij mundësohet edhe tërheqja e sa më shumë investimeve duke zbatuar caqet ambicioze që janë vënë në Strategjinë e Energjisë 2022-2031.

Fushëveprimi i këtij ligji përfshin hartimin e politikave energjetike dhe zhvillimin e kornizës rregullative për promovimin e përdorimit të Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë në Republikën e Kosovës, duke përfshirë promovimin e Skemave Mbështetëse konkurruese, efiçiente dhe transparente.

Ky ligj do të sjellë përfitime për sektorin privat, përmes koncepteve të reja të përfshirjes së konsumatorëve në sektorin e energjisë dhe përmes përcaktimit të procedurave të cilat duhet të behën në mënyrë konkurruese. Në këtë mënyrë, të gjitha ndërmarrjet trajtohen barabartë duke përfituar nga konkurrenca e tyre e cilat çon në çmime më të ulëta dhe kosto të përballueshme për qytetarët.

Me synim të përmbushjes së caqeve dhe obligimeve që dalin nga traktati i komunitetit të energjisë dhe tranzicionin drejt energjisë së pastër, Ligji për BRE-të ka për qëllim rritjen e përdorimit të energjisë nga Burimet e Ripërtërishme dhe bashkëprodhimit në sektorët e energjisë elektrike, ngrohjes dhe ftohjes, transportit si dhe rritjen e sigurisë së furnizimit.

Përfitime tjera nga ky ligj janë: mbrojtja e mjedisit, ofrimi i përfitimeve sociale dhe shëndetësore si dhe promovimi i mundësive të barabarta të punësimit në sektorin e energjisë.