“Punëtorët nuk janë numra, janë jetë” – Katër punëtorë të KEK humbin jetën në vendin e punës këtë vit
August 27, 2026
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka shpallur “heronj të punës” katër kolegët e tyre që humbën jetën në vendin e punës – Migjen Sadikun, Milazim Binakun, Haxhi Gojnovcin dhe Arbenit Ahmetin.
Rasti më i fundit ka ndodhur javën e kaluar më 20 gusht, ku 32-vjeçari Arbenit Ahmeti ka humbur jetën, duke shënuar vdekjen e katërt sivjet të punëtorëve të KEK.
Bordi i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i KEK ka mbajtur një takim, në të cilin thuhet se “Bordi është informuar nga Menaxhmenti për rrethanat e përgjithshme të ngjarjes. Në vendngjarje janë duke u zhvilluar hetimet përkatëse nga organet kompetente dhe ekspertët e forenzikës, ndërsa të gjitha rrethanat dhe shkaqet e këtij rasti do të ndriçohen plotësisht përmes procesit hetimor”.
KEK në një postim për media, thotë se “në kuadër të masave konkrete, Bordi ka kërkuar që të adresohen me përgjegjësi rolet, përgjegjësitë dhe llogaridhënia e secilit nivel të përfshirë në proceset e sigurisë në punë. Në këtë drejtim, KEK Sh.A. do të formojë një Task Force për Sigurinë Industriale dhe Shëndeti në Punë, në përbërjen e së cilës do të përfshihen edhe ekspertë të jashtëm të fushës. Task Forca do të ketë për detyrë të bëjë një rishikim të plotë të protokolleve, procedurave, standardeve dhe mekanizmave ekzistues që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, me qëllim identifikimin e çdo mangësie dhe marrjen e masave konkrete për përmirësimin e tyre”.
Sipas KEK, “vlerësimi i rrezikshmërisë së vendeve të punës është kontraktuar gjatë këtij viti dhe aktualisht është në fazën e implementimit. Rezultatet e këtij procesi do të shërbejnë gjithashtu si një nga bazat për ndërmarrjen e masave të mëtejshme për eliminimin dhe reduktimin e rreziqeve në vendet e punës”.
Detaje rreth ngjarjeve
Tashmë i ndjeri Arbenit Ahmeti ka vdekur gjatë kryerjes së detyrave të punës, pasi ra në kontakt me tensionin elektrik.
Në njoftimin e KEK është bërë e ditur se sipas informatave fillestare, gjatë angazhimit në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6 kV, ai ka rënë në kontakt me tensionin elektrik, ka pësuar lëndime të rënda dhe pavarërisht se është dërguar për trajtim mjekësor, i njëjti nuk ka mundur t’u mbijetojë lëndimeve.
Edhe Haxhi Gojnovci, më 16 gusht ka ndërruar jetë në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit të KEK-ut gjatë kryerjes së detyrave të punës dhe derisa po lëvizte në zonën e ekskavatorit, pësoi aksidentin fatal.
Një muaj më parë, në korrik, humbi jetën dhe Milazim Binaku, i cili ishte lëndua në vendin e punës, në Fabrikën e Pajimeve Xehetare të Divizionin e Prodhimit të Qymyrit.
Kurse Migjen Sadiku, punëtor i sigurimit në Termocentralin “Kosova B” në Obiliq, pësoi lëndime të rënda në shkurt të këtij viti pas një përplasjeje aksidentale me një kamion, dhe pavarësisht ndihmës së menjëhershme mjekësore, ka ndërruar jetë.
Vozitësi i kamionit nuk e kishte parë atë gjatë manovrës së kthimit të automjetit.
Sindikata e KEK realizon aksion
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) ka zhvilluar një aksion simbolik para zyrave të KEK-ut në Prishtinë, duke shprehur pakënaqësinë e saj lidhur me mënyrën e menaxhimit dhe trajtimit të punëtorëve.
Me pankarta në në duar “Punëtorët nuk janë numra, janë jetë” dhe “Stop menaxhimit represiv”, përfaqësuesit e sindikatës kanë kërkuar më shumë respekt për punëtorët dhe përmirësimin e kushteve në vendin e punës.
Fotot e tyre, në një aksion simbolik janë vendosur, të martën, para zyrave të selisë së KEK-ut, në Prishtinë.
Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, tha se ky aksion synon të rikujtojë përgjegjësinë e institucioneve dhe menaxhmentit për sigurinë e punëtorëve.
“Dje, me vendim të kryesisë dhe të këshillit ekzekutiv të sindikatës së re, këta punëtorë, Migjen Sadikun, Milazim Binakun, Haxhi Gojnovcin dhe Arbenit Ahmetin, sindikata e re i shpall hero të punës, me mirënjohje post mortum…Kërkojmë nga institucionet e Republikës së Kosovës, nga korporata energjetike e Kosovës, të respektohet ligji i punës. Sepse pa respektimin e ligjit të punës, punëtori e humb të drejtën me punu dhe me jetu…Ndoshta me një menaxhim më të mirë, me një siguri më të madhe, sot ata do të ishin në mesin tonë”, u shpreh ai.
Ndërkohë, nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, tha se krahas aksionit para KEK-ut, sindikata do të zhvillojë edhe një aksion simbolik, të mërkurën, para Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) teksa kritikoi udhëheqjen e kësaj të fundit se nuk ka reaguar sa duhet për çështjet që lidhen me të drejtat dhe sigurinë e punëtorëve.
“Ne sot kemi vendos, përveç atyre që tha kryetari dhe i shpall-i punëtorët e vdekur aksidentalisht në vitin 2026 hero, me vendimin e kryesisë do të shkojmë dhe ta bëjmë një simbolikë ngjashme te Bashkimi i Sindikatave të Pavarura, përkatësisht kryetari i vetëquajtur, i cili asnjëherë nuk e ngriti zanin për asnjë punëtor. Kryetari i punëtorëve nuk flet për punëtorët. Paramendo, kjo tregon qartë se sa aktiv është kryetari i BSBK-së bashkë me BSBK-në e vetëquajtur. Nga këtu na nisni edhe atje në një aksion simbolik, ku do të bëjmë edhe fotografinë e këtyre 4 punëtorëve, si shenjë e revoltës që nuk ka folur asnjëherë deri më dje, që dje e kishin pas thirrë menaxhmenti i KEK-ut në një takim, e ia kanë nxitë ndërmend që është sindikalista. Nuk i ka ditur as vetë, e as nuk e dinë si është zgjedhur, e nuk flet për punëtorët, e kjo është e tmerrshme”, ka thënë ai.
/Telegrafi