Search

Ministrja Rizvanolli: Konsumi i energjisë së gjelbër do të rritet në 30% deri në 2031

18 Nëntor, 2021


Sot, në objektin e Qeverisë është takuar grupi punues për hartimin e strategjisë për energji 2022 – 2031.

Në mesin e tyre e në krye të takimit ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, si dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Pas fjalimit hapës nga kryeministri Albin Kurti, edhe ministrja Rizvanolli u shpreh për Strategjinë e ardhshme Kombëtare të Energjisë 2022-2031.

Rizvanolli: Vizioni që na udhëheq gjatë hartimit të kësaj strategjie është rruga afatgjate drejtë dekarbonizimit deri në vitin 2050

Ministri Rizvanolli theksoi se strategjia e re energjisë, ndonëse mbulon vetëm një periudhë 10 vjeçare, do të diktojë ritmin e zhvillimit të sektorit energjetik të Kosovës deri në vitin 2050.

“Një dokument kaq i rëndësishëm jo vetëm për sektorin e energjisë por edhe për ekonominë dhe shtetin e Kosovës në përgjithësi… e cila megjithëse është dhjetë vjecare në letër, jep ritmin sektorit tonë të energjisë për dekadat në vijim deri në vitin 2050”, tha ministrja Rizvanollli.

“Ne si ministri sëbashku me departamentin e energjisë jemi të angazhuar që së bashku me ju të zhvillojmë një strategji që do të siguroj tranzicion energjetik për vendin tonë, por gjithashtu tranzicion energjetik i cili siguron edhe drejtësi sociale për qytetarët tonë”, theksoi ajo.

“Vizioni që na udhëheq gjatë hartimit të kësaj strategjie është rruga afatgjate drejtë dekarbonizimit deri në vitin 2050, ndërkohë që ne ruajmë sigurinë energjeitke dhe përballueshmërinë për konsumatorët, rrisim përdorimin e energjisë së pastër, dhe sigurojmë integrim rajonal të energjisë në mënyrë ekonomikisht të qëndrueshme”, tha ajo.

Rizvanolli: Pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme në konsumin e energjisë tonë do të rritet deri në 30% deri në 2031

Ministrja Rizvanolli përsëri theksoi rëndësinë e furnizimit të përballueshëm dhe stabil me energji elektrike, si shtylla kryesore e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik për Kosovën.

Prandaj, sa i përket zhvillimit të kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë, ajo theksoi se konsumi i energjisë nga burimet e ripërtëritshme të energjisë do të rritet nga 5% sa është aktualisht në deri në 30% në vitin 2031, dhe deri në 50% deri në vitin 2050.

“Për qytetarët e për planetin tonë, ne duhet të sigurohemi që të kontribuojmë për të luftuar ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike”, tha ajo.

“Në këtë aspekt, strategjia jonë do të jetë mjaft ambicioze në vendosjen e caqeve të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, sidhe në rritjen e efiçensës së energjisë në industri dhe amvisëri”, theksoi Rizvanolli.

“Pjesëmarrja e burimeve të ripërtëritshme në konsumin e energjisë tonë elektrike sot është vetëm 5%, ndërsa në skenarë që jemi duke i zhvilluar ka indikime që kjo shifër do të ketë rritje deri në 25-30% për vitin 2031. Pra një rritje prej përafërisht 400%, me synim të rritjes deri në 50% të pjesëmarrjes së BRE-ve në konsumin e energjisë elektrike deri në vitin 2050”, sqaroi ajo.

Drafti i strategjisë për konsultim publik në janar të 2022, me objektiv finalizimin e saj në mars të vitit 2022

Ajo përmendi edhe punën që po bëhet për planin e veprimit trevjeçar të strategjisë së energjisë, si dhe testimin e skemave mbështetëse konkurruese për burimet e rinovueshme të energjisë.

“Paralelisht me hartimin e strategjisë së energjisë dhe ligjit për burime të ripërtëritshme të energjisë, ne do të punojmë edhe në planin tre vjecar të veprimit të kësaj strategjie sidhe në pilotimin e skemave konkurruese të burimeve të ripërtëritshme të energjisë”, tha ajo.

Më tej, Rizvanolli po ashtu tha se drafti i strategjisë kombëtare për energjinë e Kosovës do të vendoset në konsultim publik në janar të vitit 2022.

“Ne synojmë të kemi një draft të strategjisë për konsultim publik në janar të 2022, me objektiv finalizimin e saj në mars të vitit 2022”, tha ajo.

“Është tejet me rëndësi, që ne të vazhdojmë që përgjatë procesit të hartimit të strategjisë kombëtare të energjisë të kemi të përfshirë të gjitha palët, ashtuqë strategjia të pasqyrojë vizion të përbashkët për të ardhmen energjetike të kosovës por edhe që të ketë përkrahje dhe të jetë e zbatueshme”, bëri të ditur ministrja Rizvanolli.

“Prandaj, ne kemi planifikuar që gjatë tërë procesit, që nga java tjetër, të kemi konsultime me deputetët e kuvendit të Kosovës, ekspertët, shoqërinë civile, partnerët tonë zhvillimor ndërkombëtar, e të tjerë”, tha ajo ndër të tjera.

Kryeministri Kurti flet për strategjinë e re kombëtare të energjisë 2022-2031

Lexo më shumë