Search

Megjithatë s’ka normalitet, edhe sot kufizime të rrymës

16 Gusht, 2022


Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se edhe sot do të ketë kufizim të energjisë elektrike, përkundër se Ministria e Ekonomisë të hënën ka njoftuar se është rikthyer furnizimi i rregullt dhe se nuk do të ketë kufizime, shkruan Koha.

Ai në emisionin “Sot” në KTV ka thënë se sot kufizimet kanë filluar nga ora 9 e mëngjesit.

“Reduktimet kanë filluar nga e hëna dhe kanë qenë minimale, edhe sot nga ora 9 kanë filluar kufizimet e energjisë elektrike”, ka thënë ai.

Buzhala ka thënë se arsye e reduktimeve është se furnizimi është duke u bazuar nga prodhimi vendor dhe nuk ka para që të blihet energji në tregjet ndërkombëtare.

“Që 1 vit e më shumë e kemi bartur krizën në supet tona. Aktualisht kufizimet parashihen të jenë 2 orë pa energji elektrike dhe 6 me energji. Alternativa e kursimit të energjisë duhet të aplikohet. Gjithashtu duhet që çmimi të reflektojë koston dhe të ketë infuzion financiar për sistemin elektroenergjetik. Dihet se ishin planifikuar të jepen 90 milionë euro, porse ato para nuk janë dhënë asnjëherë dhe kjo e ka zhytur në kolaps sistemin elektroenergjetik”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se secila krizë tejkalohet kur bëhen bashkë të gjitha institucionet dhe mekanizmat përfshirë edhe popullin.

Buzhala ka thënë se kjo krizë është e importuar dhe nuk është e shkaktuar. Shton se me ftohjen e motit kërkesa për energji do të rritet dhe se vendet si Kosova do ta kenë jashtëzakonisht të vështirë.

“Nuk duhet të llogaritet që do të ketë furnizim të sigurt në asnjë mënyrë. Qytetarët nuk duhet ta llogaritin ngrohjen me energji elektrike. Do të jetë dimër i rëndë për të gjithë Evropën. Situata me reduktimet do të zgjasë deri në ndryshimin e parametrave. Çmimet për megavat kanë shkuar shumë lartë. Nuk ka pasur një gjendje të tillë më herët”, ka thënë ai.

Shqipëria i del në ndihmë Kosovës, kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike

Lexo më shumë

Rizvanolli: Kosova i ka dhënë Shqipërisë mbi 121 mijë MWh, po merr më pak se 1 mijë për t’i evituar reduktimet

Lexo më shumë

Kosova dhe Shqipëria të përgatisin një strategji të përbashkët energjetike afatgjate

Lexo më shumë