Search

Kosova dhe Shqipëria të përgatisin një strategji të përbashkët energjetike afatgjate

16 Gusht, 2022


Kosova dhe Shqipëria të intensifikojnë procesin e bashkimit energjetik përmes angazhimit në nisma rajonale, koordinimit me ENTSO-e dhe bashkëpunimit në nivel bilateral, shkruan në raportin e Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) “Bashkimi Energjetik Kosovë-Shqipëri – Sfidat dhe Mundësitë për të Ardhmen”.

Shqipëria i del në ndihmë Kosovës, kthehet furnizimi i rregullt me energji elektrike

Lexo më shumë

Bashkimi energjetik Kosovë-Shqipëri duhet të jetë temë e takimeve të ardhshme të dy qeverive për çka duhet të ndërtohen afate, të angazhohen institucione të përbashkëta dhe të alokohen kosto përkatëse. Procesi i bashkimit energjetik kombëtar duhet të shpallet prioritet në të dy anët e kufirit, shkruan në këtë raport.

Kosova dhe Shqipëria të angazhohen për hartimin e një strategjie të përbashkët të energjisë. Hartimi i Strategjisë së përbashkët do t’u lejonte të dy shteteve të ndërtojnë modele të realizimit të kërkesës dhe realizimit të investimeve të përbashkëta, në atë mënyrë që të rritet efiçienca dhe të lehtësohet planifikimi i investimeve. Strategjia e përbashkët që doli edhe si rekomandim në bazë të intervistave të realizuara për këtë punim, do të maksimizonte potencialin planifikues të politikave në të dy anët e kufirit dhe do të krijonte sinergji të bashkëpunimit për të përmbushur objektiva si dekarbonizimi dhe tranzicioni i energjisë.

Kosova dhe Shqipëria të përgatisin një strategji të përbashkët energjetike. Strategjia e përbashkët e energjisë është në të mirë të planifikimeve të përbashkëta të tregut dhe rajonit të përbashkët gjeografik. Për më tepër, një bashkim i tillë i kontribuon edhe planifikimeve për vijim të integrimit të tregut me rajonin. Sa më i madh tregu, përfitimet, siguria si dhe fleksibiliteti rriten. Andaj, bashkimi mes dyja vendeve nuk duhet të paraqet synimin e vetëm, por duhet të jetë fillimi i një procesi të domosdoshëm të lidhjes së rajonit me tregun evropian.

KOSTT, në bashkëpunim me OST të bashkërendoj aktivitetet me ENTSO-e ashtu që të shikohen mundësitë e investimeve në kapacitetet kufitare me shtetet e tjera. Kjo në funksion të zhvillimit të infrastrukturës dhe rritjes së shkëmbimeve të strukturës së re të përbashkët Kosovë Shqipëri me vendet e rajonit. Investimet kapitale duhet të fokusohen në kufinjtë ku shkëmbimet janë më të vogla dhe ku potenciali i zhvillimit të zonës energjetike është më i madh.

Të rriten kapacitetet e stafit në nivelin e dy operatorëve të transmisionit përmes trajnimeve, vizitave studimore dhe investimeve në përmirësimin e kushteve të punës. Ndonëse profesionalizmi i punonjësve të dy operatorëve është i lartë, tregjet e përbashkëta dhe integrimi i tregut janë ndërmarrje të reja, për të cilat përvoja kryesisht mungon. Në këtë aspekt, një program i përbashkët trajnimi dhe aftësimi i punonjësve të të dy palëve është i nevojshëm.

Bursa kombëtare e energjisë të funksionalizohet pa vonesa të mëtejme. Ajo duhet të ofroj të dhëna në kohë reale dhe të respektohen standardet e transparencës dhe barazisë së pjesëmarrësve në bursë. Qasja në të dhëna duhet të jetë po ashtu e lehtë dhe të shfrytëzohen në maksimum përparësitë e teknologjisë informative për të parashikuar kërkesën, zhvilluar modele të kapaciteteve që nevojiten dhe për të rritur kujdesin ndaj konsumatorëve.

Kosova të përfundoj procesin e liberalizimit të tregut të energjisë dhe të sigurohet hapja e plotë e tregut në mënyrë që të rritet konkurrenca në bursën e energjisë. Ky proces duhet të shoqërohet me investime në efiçiencën e energjisë dhe në përkrahje për sektorin privat, i cili në planin afatshkurtë mund të përballet me çmime më të larta. Liberalizimi i tregut është parakusht për funksionimin e konkurrencës në shkëmbimet e energjisë në tregun e përbashkët Kosovë-Shqipëri dhe në tregun rajonal kurdo kur një i tillë të funksionalizohet.

Kosova dhe Shqipëria të marrin shembull nga tregu nordik për të rritur transparencën, avancuar konkurrencën dhe për të rritur kapacitetet menaxhuese. Modeli i tregut nordik të energjisë është një ndër modelet ku bashkimi ka sjellë rritje të konkurrencës, ulje të nevojës për prodhim dhe rritje të sigurisë së furnizimit. Me modelin e tregut nordik, do të mund të përfitonim nga përvoja duke rritur krahas kësaj edhe transparencën dhe shkëmbimin e të dhënave në përgjithësi.

//Media Ndërtimi