Search

Më së shumti grimca PM10 dhe PM2.5 lirohen nga djegiet e vogla

16 Mars, 2021


Sipas infografikës së re të publikuar nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, djegiet e vogla emetojnë më së shumti grimca të ngurta të pluhurit PM10 dhe PM2.5.

Rreth 49 për qind e grimcave të ngurta të pluhurit PM10 dhe 68 për qind e grimcave të ngurta të pluhurit PM2.5 lirohen nga djegiet e vogla, që përfshijnë ngrohjen në shtëpi, banesat, shërbimet etj.

Vendin e dytë për lirimin e grimcave PM10 dhe PM2.5 e zë industria, që përfshinë industrinë prodhuese, prodhimin e energjisë, guroret etj. Rreth 37 për qind e grimcave PM10 dhe 24 për qind e grimcave PM2.5 në Kosovë emetohen nga industria.

Pjesëmarrje më të vogël në emetimet e grimcave të pluhurit PM10 dhe PM2.5 zë transporti dhe bujqësia.

Ndryshe, vendin e parë për emetime të dyoksidit të azotit në Kosovë e zë industria me 57 për qind, vijuar nga transporti me 30 për qind.

Prezenca e grimcave PM2.5 dhe PM10 në ajër paraqet një ndër rreziqet më të mëdha për shëndetin e banorëve. Grimcat mund të kalojnë brenda në mushkëri apo edhe të vështirësojnë qarkullimin e gjakut.

Ekspozimi ndaj këtyre grimcave ka ndikim të jashtzakonshëm negative në mushkëri dhe zemër dhe mund të shkaktojë edhe ndikime afatshkurta, sikurse irritim të syve, hundës dhe fytit, kollitje, teshje dhe vështirësi në frymëmarrje.

Ekspozimi ndaj këtyre grimcave mund të shkaktojë sëmundje edhe më serioze sikurse sulme astmatike dhe bronkit, sulme të zemrës dhe vdekje të parakohshme.

BGF propozon mënyra tjera të ngrohjes për të luftuar ndotjen e ajrit

Lexo më shumë

Ndryshe, edhe ekspozimi afatgjatë ndaj dyoksidit të azotit mund të kontribuojë në zhvillimin e sëmundjeve astmatike si dhe të rrisë mundësinë e infektimeve të sistemit të frymëmarrjes. Njerëzit e sëmurë me astma, fëmijët dhe më të moshuarit janë në rrezik më të madh në rast të eskpozimit ndaj dyoksidit të azotit.

Sipas të dhënave, rreth gjysmë milioni foshnja kanë vdekur gjatë muajit të parë të jetës vitin e kaluar në mbarë botën për shkak të ndotjes së ajrit. Shumica e rasteve u shënuan në shtetet në zhvillim.

Kufizimi i vlerave të ndotjes së ajrit sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë mund të parandalojë më shumë se 50,000 vdekje në Evropë në baza vjetore, thotë studimi i Lancet Planetary Health i publikuar pak kohë më parë.

AMMK: Gjatë janarit 2021 janë regjistruar 41 ditë me tejkalime të PM10

Lexo më shumë

Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ndotja e ajrit në rajon shkakton deri në 13,500 vdekje të parakohshme çdo vit, nënvizon një raport tjetër nga Balkan Green Foundation.

Sipas studimeve të fundit, ajri i ndotur rritë shkallën e vdekshmërisë nga COVID-19 në Evropë për 19 për qind.