Search

MCC: Programi Kompakt 5-vjeçar promovon zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithpërfshirës ekonomik

01 Korrik, 2022


Dje, me datë 30 qershor, gjatë mbledhjes së rregullt të Bordit Ekzekutiv të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) është aprovuar me votë unanime Programi Kompakt i Kosovës.

Programi Kompakt me MCC-në, i negociuar gjatë muajit maj në Uashington D.C, do të kapë shumën e rreth 237 milion dollarëve dhe pritet të jetë investimi më i madh i sektorit të energjisë në histori të Republikës së Kosovës.

Nga ky financim, 200 milion dollarë do vijnë në formë të grantit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes MCC-së, rreth 35 milion dollarë do të jetë kontribut nga Qeveria e Kosovës, kurse 2 milion do të jenë fonde nga Institucioni Amerikan i Katalizatorit për Zhvillim (ACFD-së).

Bordi ekzekutiv i MCC-së aprovon programin Kompakt për Kosovën

Lexo më shumë

“Vendimi i sotëm i Bordit përfaqëson fazën tjetër të partneritetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Qeverinë e Kosovës dhe vazhdimin e përpjekjeve tona të përbashkëta për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për afro 2 milionë kosovar”, ka thënë kryeshefi ekzekutiv i MCC, Alice Albright.

Sipas MCC, programi do të ndihmojë në zhvillimin e infrastrukturës inovative energjetike, duke përfshirë edhe bateritë, si dhe do të shtojë efiçiencën dhe do të promovojë tutje sigurinë energjetike, thuhet në komunikatën për media të lëshuar nga ky institucion.

Tutje, në komunikatë thuhet se programi do të lehtësojë tranzicionin e drejtë dhe integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë në miksin energjetik të Kosovës, si dhe do të ndihmojë punësimin e të rinjëve dhe grave në sektorin e energjisë.

“Programi 5-vjeçar promovon zhvillimin e qëndrueshëm dhe gjithpërfshirës ekonomik”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga MCC.

Kryeministri Kurti: Programi Kompakt do të ndihmojë vendosjen e themeleve për tranzicion të drejtë te energjisë

Lexo më shumë