Search

Mbresëlënëse: Turbinat në Bajgorë duken edhe nga kryeqyteti

21 Qershor, 2021


Përveç tymtoreve të termocentraleve, banorët e Prishtinës nga ballkonet e tyre tani mund të fotografojnë edhe turbinat e erës të vendosura në Bajgorë. 27 turbinat që po vendosen si pjesë e projekteve gjigante të prodhimit të rrymës nga era në këtë vend duken edhe nga kryeqyteti.

Edhe pse të vendosura në distancë të madhe, turbinat në Bajgorë kanë përfunduar në foton e bërë përmes telefonit të një lexuesi të Kosovo.Energy, nga ballkoni i një ndërtese banimi në lagjen e Muhagjerëve në Prishtinë.

‘Energjia e gjelbër dhe tranzicioni i energjisë në Kosovë po duken në horizont’, ka komentuar qytetari me shtetësi gjermane por që banon në Prishtinë, në emailin dërguar Kosovo.Energy.

Ndryshe, kompania në pronësi kosovare, gjermane dhe izraelite, SOWI Kosovo është duke vendosur 27 turbina të prodhuesit General Electric në Bajgorë, për të prodhuar energji të gjelbër dhe me ndikim pozitiv në mjedis.

Tri projektet në Bajgorë kanë fuqi të instaluar prej rreth 105 megavatësh, dhe do të përfaqësojnë rreth 10 për qind të kapaciteteve të përgjithshme të instaluara energjetike në Kosovë.

Projektet do të shmangin emetimin e rreth 247,000 ton dioksid karboni në vit.