Search

KEK: Nënshkruhet marrëveshja me Maqedonin e Veriut për shitjen e qymyrit

August 18, 2026


KEK dhe JSC ESM hapin kapitull të ri të bashkëpunimit energjetik, marrëveshje strategjike trevjeçare në vlerë deri në 73.2 milionë euro.

Korporata Energjetike e Kosovës, KEK, ka nënshkruar kontratën për shitjen e qymyrit me operatorin e termocentraleve të Maqedonisë së Veriut, JSC ESM.

Nga të dy palët kjo marrëveshje është shënuar si një moment i rëndësishëm në bashkëpunimin energjetik ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Marrëveshja parasheh shitjen e qymyrit nga mihjet e Kosovës me një çmimi prej 24.4 euro për ton, pa TVSH, i cili do të mbetet i pandryshuar gjatë një periudhe trevjeçare.

Sipas KEK, vlera e përgjithshme e kontratës, bazuar në sasinë e paraparë, mund të arrijë deri në 73.2 milionë euro. Për KEK-un, kjo paraqet një mundësi të rëndësishme për sigurimin e të hyrave të qëndrueshme, planifikimin më të mirë të prodhimit dhe shfrytëzimin më efikas të kapaciteteve minerare.

Po aq i rëndësishëm është fakti se KEK-u nuk do të ketë asnjë obligim lidhur me eskavimin, transportin e qymyrit apo me operacionet e tjera logjistike për tërheqjen e tij. Të gjitha këto përgjegjësi do t’i bartë blerësi, JSC ESM, ndërsa KEK-u do t’i inkasojë mjetet drejtpërdrejt nga kjo kompani për sasinë e qymyrit të tërhequr.

Nga ESM kanë njoftuar se deri në fund të gushtit do të shpallë tender për zgjedhjen e operatorit ekonomik që do të angazhohet për nxjerrjen, analizën, ngarkimin dhe transportin e qymyrit nga Obiliqi deri në deponitë e termocentraleve në Manastir dhe Osllomej.

‘Marrëveshja vjen në një periudhë veçanërisht të rëndësishme për KEK-un, i cili është duke realizuar investime të mëdha kapitale në rehabilitimin dhe modernizimin e kapaciteteve energjetike. Ndalesat e planifikuara të njësive të termocentraleve për realizimin e këtyre projekteve kërkojnë menaxhim të kujdesshëm të resurseve dhe financave të Korporatës.’ thuhet në njoftimin e KEK për media.

Nga korportata është cekur se të hyrat nga shitja e qymyrit do të kontribuojnë në mbulimin e kostove operative dhe kapitale, ndërsa një pjesë e tyre do të orientohet në modernizimin e infrastrukturës së Divizionit të Prodhimit të Qymyrit, me qëllim të rritjes së kapaciteteve, efikasitetit dhe sigurisë së operacioneve minerare, raporton Kosovo Energy.

Një veçanti tjetër e kësaj marrëveshjeje është se, për herë të parë, KEK po realizon një kontratë të drejtpërdrejtë të këtij lloji me një kompani tjetër publike energjetike, JSC ESM.

Në të kaluarën, KEK lidhur kontrata me operatorë ekonomikë privatë, të cilët kanë shërbyer si ndërmjetësues, ndërsa përdoruesi përfundimtar i qymyrit ka qenë pikërisht JSC ESM.

Përmes kësaj marrëveshjeje të drejtpërdrejtë, KEK-u ka arritur të eliminojë ndërmjetësimin dhe të maksimizojë çmimin dhe përfitimet, duke ia shitur qymyrin drejtpërdrejt shfrytëzuesit përfundimtar.

Nga ana tjetër, JSC ESM siguron furnizim afatgjatë me qymyr, me cilësi dhe çmim të përcaktuar, duke reduktuar ekspozimin ndaj luhatjeve dhe pasigurive të tregjeve ndërkombëtare.

Sipas EMV-së, përdorimi i qymyrit nga Kosova do të rrisë efikasitetin e termocentraleve dhe pritet të sjellë rreth 800 gigavat-orë energji elektrike shtesë në vit, me të ardhura prej rreth 57 milionë eurosh. Gjithashtu, pritet të ulet përdorimi i mazutit dhe emetimet e CO₂.

“Gjatë konsolidimit aktual të minierave, nevojat e vlerësuara vjetore për blerjen e qymyrit, si plotësim i prodhimit vendor, janë rreth 1.4 milionë tonë. Megjithatë, për shkak të kapacitetit të pikës kufitare Bllacë, nga KEK-u realisht mund të priten rreth 800 mijë tonë në vit”, tha drejtori i përgjithshëm i AD ESM-së, Lazo Uzunçev.

Ai theksoi se qymyri nga pellgu i Obiliqit ka vlerë kalorike mesatare prej rreth 1,950 kcal/kg, me përmbajtje të ulët të squfurit dhe hirit, parametra që, sipas tij, përshtaten me kapacitetet e termocentraleve në Manastir dhe Osllomej.

“Partneriteti me kompaninë shtetërore energjetike të Kosovës mundëson një hap të shpejtë dhe të sigurt drejt qëllimit tonë për ta bërë Maqedoninë një eksportues neto të vazhdueshëm të energjisë elektrike”, deklaroi Uzunçev.

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, ka kritikuar kontratën e KEK me Maqedoninë e Veriut për shitjen e energjisë elektrike.

Ymeri, përmes një reagimi në Facebook, ka deklaruar se vlera prej 73 milionë eurosh e përfituar nga kjo kontratë për një periudhë trevjeçare, sipas saj, shpenzohet nga qytetarët për import të energjisë elektrike brenda vetëm tre deri në katër muaj.

“Vlera e fituar nga kontrata e KEK me Maqedoninë e Veriut për 3 vjet kohë, harxhohet përafërsisht për 3-4 muaj nga xhepat tanë në import të rrymës”, ka shkruar Ymeri.

Ajo e ka përdorur këtë krahasim për të kritikuar politikat e Qeverisë në sektorin energjetik.

“3 vjet kontratë për para që harxhohen për 3 muaj. Qe sa është profitabiliteti i kësaj kontrate. Qe sa i intereson VV për ne si qytetarë”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

Ymeri ka përfunduar reagimin duke theksuar se 73 milionë euro janë një shumë e madhe për qytetarët.

“Kaq pak po vlejnë, 73 milionë Euro të varfërisë sonë”, ka shkruar ajo.