Search

KEK shet energjin elektrik për 29.5€ dhe qymyrin për 24.4€ – Marrëveshja për ekpostimin e qymyrit në Maqedonin e Veriut ngreh polemika

August 19, 2026


Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka komentuar marrëveshjen e Korporatës Energjetike të Kosovës, KEK, për eksportimin për tre vite të thëngjillit në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një postimi, Rizvanolli ka thënë se për herë të parë kontrata është lidhur drejtpërdrejt mes dy kompanive publike, KEK-ut dhe kompanisë maqedonase ESM.

Sipas saj, çmimi i përcaktuar është 24.4€/ton, pa TVSH, të cilin e ka cilësuar si dukshëm më të favorshëm për KEK-un krahasuar me kontratat e mëparshme që realizoheshin përmes ndërmjetësuesve.

“Çmimi prej 24.4 Euro për ton, pa TVSH, është shumëfish më i favorshëm për KEK në krahasim me kontratat e kaluara që bëheshin përmes ndërmjetësuesve. Për shembull, herën e fundit që Kosova ka eksportuar në Maqedoni të Veriut, KEK e ka shitur thëngjillin në një tender të jashtëligjshëm me çmim prej vetëm 8 Euro, duke përfshirë tantiemën prej 3 Euro dhe TVSh-në prej 18%”, ka shkruar Rizvanolli.

Ajo ka theksuar se eksporti i thëngjillit nuk do të ndikojë në prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë dhe se ESM do të jetë përgjegjëse për eskavimin dhe transportin e thëngjillit që do ta blejë nga KEK-u.

“Përgjatë 3 viteve, KEK do të eksportojë deri në 73.2 milionë Euro thëngjill në Maqedoni të Veriut”, ka shkruar Rizvanolli.

KEK: Nënshkruhet marrëveshja me Maqedonin e Veriut për shitjen e qymyrit

Lexo më shumë

Mirëpo kjo marrëveshje nuk është pritur mirë nga antarë të partive opozitare

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka kritikuar ashpër qeverisjen e vendit për politikat në sektorin energjetik, duke akuzuar Qeverinë se ka dështuar të sigurojë prodhim të mjaftueshëm vendor të energjisë.

Gjini, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka ngritur pyetjen nëse Kosova dëshiron t’u ngjajë vendeve evropiane apo atyre që ai i cilëson si “vende të botës së tretë”.

“Kjo qeveri ka gjetur arsyetime nga më bizaret për të mos prodhuar energji në Kosovë. Tani shesim qymyr e blejmë energji, madje 100 fish më shtrenjtë”, ka shkruar Gjini.

Sipas tij, një situatë e tillë është karakteristikë e vendeve të pazhvilluara, ndërsa përgjegjësinë kryesore ia atribuon qeverisjes. Gjini ka thënë se problemet nuk lidhen me qytetarët, por me mënyrën e qeverisjes, duke e akuzuar Qeverinë për politika të dëmshme dhe korrupsion.

Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, poashtu ka kritikuar kontratën e KEK me Maqedoninë e Veriut për shitjen e energjisë elektrike.

Ymeri, përmes një reagimi në Facebook, ka deklaruar se vlera prej 73 milionë eurosh e përfituar nga kjo kontratë për një periudhë trevjeçare, sipas saj, shpenzohet nga qytetarët për import të energjisë elektrike brenda vetëm tre deri në katër muaj.

“Vlera e fituar nga kontrata e KEK me Maqedoninë e Veriut për 3 vjet kohë, harxhohet përafërsisht për 3-4 muaj nga xhepat tanë në import të rrymës”, ka shkruar Ymeri.

Ajo e ka përdorur këtë krahasim për të kritikuar politikat e Qeverisë në sektorin energjetik.

“3 vjet kontratë për para që harxhohen për 3 muaj. Qe sa është profitabiliteti i kësaj kontrate. Qe sa i intereson VV për ne si qytetarë”, ka deklaruar deputetja e LDK-së.

Ymeri ka përfunduar reagimin duke theksuar se 73 milionë euro janë një shumë e madhe për qytetarët.

“Kaq pak po vlejnë, 73 milionë Euro të varfërisë sonë”, ka shkruar ajo.

Pas diskutimeve dhe kritikave KEK ka reaguar duke mbrojtur vendimin rreth marrëveshjes trevjeçare

Korporata Energjetike e Kosovës ka kundërshtuar krahasimin e kontratës për shitjen e qymyrit në Maqedoninë e Veriut me shpenzimet për importimin e energjisë elektrike, duke thënë se bëhet fjalë për dy procese të ndryshme.

“KEK-u nuk është kompania që vendos se kur dhe sa energji elektrike importohet për furnizimin e konsumatorëve. Për këtë arsye, krahasimi i vlerës së kontratës prej deri në 73,2 milionë euro me shpenzimet për import të energjisë nuk paraqet analizë të profitabilitetit të kësaj marrëveshjeje”, thuhet në reagim.

Korporata ka sqaruar se aktivitetet e saj kryesore janë nxjerrja e qymyrit dhe prodhimi i energjisë elektrike, ndërsa furnizimi i konsumatorëve është përgjegjësi e kompanisë së licencuar për këtë veprimtari, që për shumicën e qytetarëve dhe bizneseve është KESCO.

Sipas KEK-ut, energjia për furnizimin universal ofrohet me rreth 29,5€/MWh. Për prodhimin e një megavat-ore, termocentrali Kosova A konsumon rreth 1,5 ton qymyr, ndërsa Kosova B afërsisht 1,3 ton.

Megjithatë, Korporata ka theksuar se ky çmim nuk mund të krahasohet drejtpërdrejt me vlerën e tregut të energjisë ose me atë të shitjes së qymyrit.

Në bazë të kontratës së re, ESM-ja do të paguajë 24,4 euro për ton, pa TVSH, me çmim të pandryshuar për 36 muaj.

KEK-u ka thënë se në të kaluarën qymyri është shitur përmes kompanive private ndërmjetësuese me çmime dukshëm më të ulëta, në raste të caktuara rreth tetë euro për ton, ndonëse përdoruesi përfundimtar ishte ESM-ja.

KEK-u ka bërë të ditur se është duke zbatuar një program investimesh prej rreth 500 milionë eurosh, i cili përfshin rehabilitimin e njësive gjeneruese, modernizimin e kapaciteteve minerare dhe përmirësimin e performancës mjedisore e të sigurisë.

Sipas Korporatës, të hyrat potenciale nga marrëveshja do ta ndihmojnë qëndrueshmërinë financiare dhe kapacitetin e saj investues.

“Kritika është legjitime dhe transparenca është e domosdoshme për çdo ndërmarrje publike. Por debati duhet të mbështetet në fakte, përgjegjësi institucionale dhe analizë të kushteve konkrete të kontratës”, ka deklaruar KEK-u.