Search

Liberalizimi i tregut: Bizneset friksohen për rritje të kostos së energjisë

March 13, 2025


Zyra e Rregullatorit për Energji, ka njoftuar se në përputhje me detyrimet ligjore të parashikuara në nenin 37, paragrafi 2 të Ligjit për Energjinë Elektrike, njofton se ka vazhduar procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Republikën e Kosovës.

ZRRE thotë se ky proces është pjesë e angazhimit për zhvillimin e tregut të energjisë elektrike, rritjen e konkurrencës, si dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj konsumatorëve.

“Bazuar në kornizën ligjore dhe rregullative, ZRRE ka përcaktuar kompaninë KESCO si furnizues me të drejtën e shërbimit universal. Duhet theksuar se neni 37, paragrafi 2 i Ligjit Nr. 05/L – 085 për Energjinë Elektrike, përcakton se: “Të drejtën e furnizimit si shërbim universal e gëzojnë të gjithë konsumatorët familjar dhe jofamiljar që kanë qarkullim vjetor jo më shumë së dhjetë (10) milion euro, ose jo më shumë së pesëdhjetë (50) punonjës””.

Si pjesë e këtij procesi, ZRRE thekson se ka udhëzuar KESCO si furnizues i shërbimit universal të identifikojë konsumatorët familjarë dhe ata jo-familjarë të cilët e gëzojnë të drejtën e shërbimit universal, ndërsa ata që nuk plotësojnë kriteret e të drejtës së shërbimit universal, të dalin në treg të lirë, duke filluar nga 1 qershori 2025.

Pra konsumatorët jofamiljar duhet të paraqesin pranë KESCO dëshmitë nëse përmbushin kriteret e furnizimit me shërbim universal.

“Liberalizimi i tregut ka qenë një angazhim i ZRRE-së që nga viti 2017, i cili është ndërprerë përkohësisht për shkak të pasojave të pandemisë dhe të krizës energjetike, të cilat krijuan pasiguri në furnizimin dhe stabilitetin e tregut të energjisë. Megjithatë, tani janë plotësuar kushtet e nevojshme për t’u mundësuar konsumatorëve që përmbushin kriteret të kalojnë në treg të hapur dhe të përfitojnë nga mundësitë e konkurrencës”, thuhet tutje.

Për më tepër, ZRRE  shton se do të monitorojë çdo hap të këtij procesi, për të siguruar mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe për të garantuar që të gjitha palët e përfshira të respektojnë normat dhe standardet ligjore në fuqi.

“Konsumatorët, si dhe të gjithë akterët e tregut të energjisë elektrike, do të kenë mundësi të informohen dhe të angazhohen në këtë proces përmes kanaleve të komunikimit të hapura nga ZRRE dhe KESCO, duke siguruar transparencë dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Ju informojmë se ZRRE ka disa Furnizues të energjisë elektrike të licencuar dhe se listën e Furnizuesve të licencuar në faqen e ZRRE”, thuhet në fund.

Duke filluar nga 1 qershori, kompanitë e mëdha në Kosovë duhet t’i zgjedhin vetë furnizuesit e tyre me energji elektrike. Derisa rregullatorët e cilësojnë këtë si hap drejt liberalizimit të tregut të energjisë, drejtuesit e bizneseve paralajmërojnë për rritje të kostove dhe paqëndrueshmëri ekonomike.

Me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë, ZRRE, të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.

Si pjesë e Ligjit për energjinë elektrike, kjo masë nënkupton që bizneset duhet ta zgjedhin vetë furnizuesin e tyre me energji elektrike.

Përfaqësuesit e biznesit, por edhe afaristët paralajmërojnë se ky tranzicion, mund të shkaktojë çrregullime ekonomike dhe rritje të çmimeve të produkteve.

“Në momentin që neve na qesin nga furnizimi i rregullt në furnizim të parregulluar, unë besoj se rryma do të jetë mbi 70% më shtrenjtë se aktualisht”, thotë Alajdin Fusha, përfaqësues i kompanisë “ABI SHPK”.

Kjo kompani, me bazë në Prizren, ka nën ombrellën e vet 13 kompani të ndryshme, që ofrojnë produkte ushqimore dhe shërbime të tjera, dhe punëson rreth 600 punëtorë.

Aktualisht, ajo paguan mbi 65 mijë euro në vit për faturat e energjisë së shpenzuar. Kostoja i është përgjysmuar që nga viti 2021, për shkak të investimeve në panele diellore.

Fusha thotë se me liberalizimin e tregut të energjisë, çmimi për kilovat nuk mund të pritet nën 15 centë, nga rreth 7 centë sa paguan kompania tash për tash.

Kjo, sipas tij, me doemos do të reflektojë edhe në koston e produkteve dhe shërbimeve.

Ku mund të furnizohen kompanitë me rrymë?

Sipas ZRRE-së, konsumatorët që dalin në tregun e liberalizuar të energjisë, mund të furnizohen nga çdo kompani vendore që posedon licencë ose nga kompani të huaja.

Operatori për Furnizim me Energji – KESCO është furnizuesi kryesor i licencuar për energji elektrike në Kosovë. Çmimin e produkteve të tij e përcakton ZRRE-ja.

ZRRE ka njoftuar se në Kosovë janë të licencuara edhe 18 kompani të tjera.

“Ato mund të kryejnë aktivitetin e furnizimit dhe tregtimit me shumicë të energjisë elektrike”, thuhet në përgjigjen e këtij rregullatori për Radion Evropa e Lirë, por nuk specifikohet më shumë rreth tyre.

KESCO, në një njoftim të publikuar më 5 mars, bëri të ditur se me kërkesë të ZRRE-së, kompanitë komerciale me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të duhet të zgjedhin furnizuesin me rrymë brenda 15 ditësh, pasi, nga data 1 qershor, nuk do të jenë më në listën e konsumatorëve me tarifa të rregulluara.

Ato do të kalojnë në furnizim me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

“Pasoja për bizneset”
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, thotë se ky ndryshim në furnizim, do të ketë pasoja të rënda për bizneset e mëdha, të cilat janë kryesisht prodhuese. Sipas tij, çmimi i rrymës as tash nuk është i lirë.

“Dhe, shtrenjtimi i radhës do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve në tregun vendor. Gjithashtu, mund ta dëmtojë edhe konkurrueshmërinë e tyre në tregun ndërkombëtar”, thotë Rafuna për Radion Evropa e Lirë.

Në Kosovë, bizneset aktive sipas numrit të punëtoreve ndahen në mikro, që kanë të punësuar nga 1 deri në 9 punëtorë; të vogla me nga 10 deri në 49 punëtorë; të mesme me nga 50 deri në 249 punëtorë dhe të mëdha me mbi 250 punëtorë.

Numri i dy kategorive të fundit arrin në rreth 17.300, sipas OEK-ut.

Rafuna thotë se OEK-u është interesuar për kompanitë tjera që përmend ZRRE-ja për furnizim, por, sipas tij, ato nuk funksionojnë si furnizues të rregullt.

“Institucionet nuk kanë krijuar kushte për një treg të hapur dhe konkurrues. Bizneset detyrohen të dalin në tregun e lirë, por pa pasur mundësi të negociojnë për një çmim më të lirë dhe energji më cilësore. Kjo mund të krijojë monopol nga KESCO-ja, e cila do t’i diktojë çmimet”, thotë Rafuna.

Ngjashëm shprehet edhe afaristi Fusha.

“Pas njoftimit të KESCO-s, jam interesuar për këtë çështje, por nuk ka kompani tjera që garantojnë ofertë të qëndrueshme. Në fund, sërish do të furnizohemi nga KESCO-ja, por me çmime shumë më të larta”, sipas tij.

Radio Evropa e Lirë pyeti KESCO-n se sa do të jenë çmimet për bizneset që hyjnë në tregun e liberalizuar dhe vazhdojnë të mbeten kliente të saj, por nuk mori përgjigje.

Aktualisht, për konsumatorët e amvisërisë dhe ata komercialë që shpenzojnë deri në 800kW në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë/kW, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800kW, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

A ka alternativa?

Arben Gjukaj, ish-drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, thotë se një alternativë tjetër për furnizim me energji elektrike është që vetë kompanitë të pajisen me licenca për furnizim.

“Një kompani mund të aplikojë për licencë pranë ZRRE-së dhe, pasi t’i përmbushë kriteret teknike, mund të blejë energji nga tregu i brendshëm ose jashtë vendit. Po ashtu, mund të lidhë marrëveshje me kompani që prodhojnë energji nga burimet alternative, si panelet diellore”, shpjegon Gjukaj për Radion Evropa e Lirë.

Aktualisht, 85% e konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike në Kosovë varet nga prodhimi i thëngjillit në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe rreth 20% prodhohet nga burime të ripërtërishme, si: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet diellore.

Në përqindjen e fundit hyjnë edhe disa biznese që kanë investuar në burime të tilla, për t’i ulur kostot e energjisë.

Pse po realizohet liberalizimin i tregut të energjisë?

Nga ZRRE-ja thonë se liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë qysh me Ligjin për energjinë elektrike, të miratuar në vitin 2017, por zbatimi i të cilit është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.

Duke shpjeguar këtë ligj, ZRRE-ja thotë se të drejtën e furnizimit me shërbime të rregulluara, “e gëzojnë të gjithë konsumatorët familjarë dhe jofamiljarë, që kanë qarkullim vjetor jo më shumë se dhjetë milionë euro, ose jo më shumë së 50 punonjës”.

Realizimi i këtij procesi është shtyrë deri në mars të vitit 2021, me kërkesë të përfaqësuesve të komunitetit të biznesit, të cilët, siç kujton Rafuna, kanë kërkuar të mos realizohet pa u krijuar kushtet e duhura.

Më pas, në vitin 2021, kur ka qenë edhe kulmi i pandemisë COVID-19, ZRRE-ja ka vlerësuar se nuk është koha e duhur që bizneset t’i nënshtrohen liberalizimit të tregut të energjisë, meqë shumë prej tyre ishin prekur nga kufizimet që kishte shkaktuar pandemia.

Tani, katër vjet më vonë, Rafuna dhe Fusha kërkojnë nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë sërish fillimin e këtij procesi, derisa të këtë më shumë furnizues me energji në treg dhe të krijohen mekanizma mbrojtës për kompanitë, në mënyrë që ato të mos detyrohen të paguajnë, siç shprehen, çmime të padrejta.

/Telegrafi