Search

Kusari-Lila për rrymën në veri: Nuk është hera e parë që në Kuvend po trajtojmë situata të tilla

06 Maj, 2021


Gjatë fjalimit të saj në seancën e kuvendit ku po diskutohej aprovimi i kërkesës së KOSTT për të mbuluar shpenzimet e energjisë elektrike në veri të Kosovës, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se nuk është hera e parë që Kuvendi i Kosovës po trajton situata të tilla.

Kusari-Lila ka sqaruar se përmes një rezolute me rekomandime të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka kërkuar nga Qeveria, ZRRE-ja, KEDS-i dhe të gjitha institucionet relevante të gjejnë zgjidhje në raport me humbjet në veri të vendit.

‘Sot jemi këtu pas miratimit të rekomandimeve tri vite pas, në të njejtën situatë megjithatë kësaj radhe kemi arritur të bëjmë një zgjidhje e cila shpresojmë do të ketë koston më të ulët të mundshme, dhe të sanojë dëmet që mund të jenë të parikuperueshme për KOSTT-in’, ka thënë Kusari-Lila.

Kuvendi miraton rekomandimet e Komisionit për mbulimin e humbjeve për rrymën në veri

Lexo më shumë

Ndryshe, Kusari-Lila ka sqaruar se pas pranimit si anëtare e barabartë në rrjetin elektro-energjetik të Evropës Kontinentale – ENTSO-e, Kosova ka hyrë në bllok rregullues me Republikën e Shqipërisë dhe kanë krijuar berzën e përbashkët të energjisë elektrike, në të cilën Shqipëria është aksionari kryesor dhe Kosova aksionari i dytë.

Çfarëdo devijimi dhe shmangje, humbje e mëtutjeshme e sistemit, energjisë elektrike në veri mund të rrezikojë funksionimin e mëtutjeshëm dhe krijimin e berzës energjetike, anëtarësimin e Kosovës në ENSTO-e dhe mbarëvajtjen e sistemit, ka sqaruar Kusari-Lila.

‘Ajo cfarë është rekomanduar është që KOSTT-i të jetë përgjegjës për sigurimin e rrymës për faktin se KOSTT edhe është i licencuar nga ZRRE-ja’, ka thënë Kusari-Lila.

Kusari-Lila ka thënë se një nga rekomandimet parasheh që brenda gjashtë muajve, grupi punues i Qeverisë të vijë me zgjidhje në mënyrë që të evitohet ky problem dhe të mos përsëritet situata e njejtë.

‘Kërkojmë nga qeveria të intensifikojë përpjekjet deri në arritjen e zgjidhjes së këtij problemi tani më 21-vjecar, të cilën nuk ka arritur asnjë qeveri e Kosovës ta zgjidhë’, ka thënë Kusari-Lila në mbyllje.

Me shumicë votash, deputetët kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me kërkesën e NP KOSTT për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

68 deputetë kanë qenë të pranishëm në sallën e Kuvendit ndërkaq 61 kanë votuar pro.