Search

Komuniteti i Energjisë: Ballkani Perëndimor ka shpenzuar 2 miliard euro në subvencione për qymyr në periudhën 2015 – 2019

03 Dhjetor, 2020


Studimi i ri i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë thekson se palët kontraktuese kanë shpenzuar 900 milion euro vetëm në subvencione direkte për prodhim të rrymës nga qymyri dhe linjiti gjatë vitit 2018 dhe 2019.

Në periudhë pesë vjecare, vlera e subvencioneve për miniera dhe termocentrale të qymyrit tejkalon shumën prej 2 miliardë eurosh.

Subvencionet më të larta janë shënuar në Ukrainë, Serbi dhe Bosne dhe Hercegovinë.

Pas krahasimit të të dhënave me studimin paraprak, Sekretariati ka theksuar se nuk ka pasur ndryshime të politikave qeveritare kundrejt qymyrit tek palët kontraktuese, andaj vlerat e subvencionimit të qymyrit dhe linjitit kanë mbetur pothuajse të njejta.

‘Niveli i lartë i subvencioneve të shpenzuara për burimin më ndotës të energjisë është alarmues. Ndërsa BE po vijon rrugëtimin drejt një sistemi energjetik neutral ndaj karbonit, raporti thekson se palët kontraktuese vazhdojnë të jenë të bllokuara në trende të së kaluarës’, ka thënë Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac.

Sipas raportit, përkrahje e konsiderueshme është dhënë përmes garancioneve shtetërore të kredive. Shuma e kredive të garantuara nga shtetet arriti në 2 miliardë euro vetëm në vitin 2019.

Shumë nga këto kredi vlerësohen si ndihmë shtetërore, dhe janë në kundërshtim me rregullat e BE-së.

Në Kosovë dominon prodhimi i rrymës nga linjiti

Qymyri është burim dominues në prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë. Rreth 92.5% e kapacitetit të instaluar në Kosovë vie nga qymyri.

‘Në periudhën raportuese, subvencionet për prodhim të energjisë elektrike në Kosovë ishin të formës së borxheve, huave nga buxheti dhe sigurimit të garancive të huasë shtetërore’, thuhet në raport.

Raporti ka vlerësuar se efiçienca e ulët e termocentraleve në Kosovë dhe niveli i ulët i pagesave për energjinë e furnizuar kanë ndikuar në subvencione të përkrahjes përmes kredive të Qeverisë për KEK.

KEK shpallë tenderin 1.5 milionësh për studimin e fizibilitetit të termocentralit Kosova A

Lexo më shumë

‘KEK planifikon të investojë 445 milion euro në zgjerimin dhe modernizimin e minierave të qymyrit, ndërsa janë planifikuar edhe 270 milion euro investime në rritjen e jetëgjatësisë dhe rehabilitimin mjedisor të termocentralit Kosova B’, thuhet në raport.

Raporti thekson edhe vazhdimin e përpjekjve të Kosovës për ndërtimin e termocentralit të ri në bashkëpunim me kompaninë amerikane ContourGlobal, anipse ndërtimi i projektit të termocentralit të ri në këtë formë është ndërprerë.

Sipas raportit, Kosova kishte planifikuar një numër subvencionesh për termocentralin e ri, duke përfshirë garancione për blerjen e gjithë fuqisë prodhuese të termocentralit me çmimin tavan prej 80 eurosh për megavat.

Kontrata me Contour Global shkon në Arbitrazh

Lexo më shumë

‘Sipas marrëveshjeve, Qeveria e Kosovës do të garantojë për investitorin blerjen e gjithë sasive të prodhuara të energjisë elektrike me cmim të garantuar prej 80 eurosh për megavat, do të kompenzojë të gjitha kostot e zhvillimit të projektit, do të bëjë përjashtime për detyrime doganore dhe ato të TVSH-së dhe do të rimbursojë kostot e rehabilitimit mjedisor pas ndërtimit’, thuhet në raport.

Subvencionimi i qymyrit ç’rregullon funksionimin e mirë të tregut të energjisë elektrike

Në raportin e tyre, Sekretariati i Komunitetit të Energjisë thekson se subvencionimi i qymyrit si burim i energjisë elektrike ç’rregullon funksionimin e mirë dhe të drejtë të sektorit të energjisë elektrike, ka ndikim negativ në mjedis dhe vështirëson performancën ekonomike të sektorit.

‘Sikurse edhe në BE, palët kontraktuese duhet të definojnë strategjitë për zvogëlim të karbonit në vitin 2050. Ato duhet të ri-vlerësojnë strategjitë ekzistuese në sektor, të përshtatin politikat dhe masat me rregullat për ndihmë shtetërore dhe obligimet tjera që dalin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë’, ka theksuar Sekretariati.

‘Kjo nënkupton themelimin e mekanizmave për pagesa të karbonit, zhvillimin e planeve që eliminojnë subvencionet e ndërlidhura me qymyr dhe të inicojnë procesin e ristrukturimit, konsolidimit dhe potencialisht, të mbylljes së përjetshme të disa entiteteve të këtij sektori. Përndryshe, palët kontraktuese do të qëndrojnë larg integrimit në BE’, ka thënë Sekretariati.

Studimin e plotë në gjuhën angleze mund t’a lexoni duke klikuar këtu.

Kosova ka paguar rreth 100 milion euro subvencione direkte për qymyrin në tre vite

Lexo më shumë