Search

Kontrata me Contour Global shkon në Arbitrazh

01 Dhjetor, 2020


Në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit ka mbërritur njoftimi nga Gjykata e Arbitrazhit Ndërkombëtar (International Centre for Settlement of Investment Disputes), përmes të cilit Ministria është njoftuar për hapjen e kontestit me investitorin ContourGlobal.

‘Më datë 24.05.2020 ka qenë e paraparë që të bëhet Mbyllja Financiare e projektit Termocentrali “Kosova e Re”. Kjo nuk është arritur në kohë dhe pas dështimit të disa tentativave për zgjidhje të kontestit me marrëveshje, kërkesa për arbitrazh është parashtruar në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar nga investitori ContourGlobal’, kanë konfirmuar Ministria përmes njoftimit të publikuar në uebfaqen zyrtare.

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, në bashkëpunim me Avokaturën e Shtetit ka marrë masa që ky proces të ndiqet dhe çështja të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Në fund të vitit 2017 kur në pushtet ishte Ramush Haradinaj, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar marrëveshje me kompaninë amerikane ContourGlobal për ndërtimin e një termocentrali 450 megavatësh, e njohur si “Kosova e Re”.

Sipas njoftimit, termocentrali i ri do të përfundonte problemet e Kosovës me mungesë të energjisë elektrike, duke minimizuar ndikimin në mjedis.

ContourGlobal më 17 mars 2020 kishte thënë që do të tërhiqet nga ky projekt, me arsyetimin se si rezultat i situatës politike në Kosovë, projekti i tyre e ka të pamundur të arrijë afatet para datës së kërkuar të përfundimit të projektit.

Përvec tjerash, ContourGlobal ka thënë se nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen.

Këshilltari i Kryeministrit thotë se ‘ContourGlobal’ është tërhequr nga detyrimet dhe angazhimet e tyre

Lexo më shumë

Në maj të 2020-s, Contour Global i ishte drejtuar Qeverisë së Kosovës përmes një letre e ku i kërkon t’i paguajë obligimin prej mbi 20 milionë euro për shkak që Qeveria nuk ka kryer një transfer të mjeteve që e kishte obligim sipas kontratës ta kryente deri në ditën e dërgimit të letrës.

Kompania amerikane kishte dhënë afat që brenda 30 ditësh t’ia paguajë shumën prej 20 milionë e 53 mijë e 125 euro e 63 cent, por që kjo shumë nuk është paguar.

Termocentrali ‘Kosova e Re’ ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihet në funksion në vitin 2023.

Ndërtimi i tij është kundërshtuar nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët në vazhdimësi e kanë konsideruar si projekt të dëmshëm për mjedisin.

Ndërtimi i TC “Kosova e Re” do të kushtonte vendin 1.3 miliard euro.

Ndërkohë që vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike, Kosova ka konsideruar në vazhdimësi ngritjen e kapaciteteve energjetike përmes thëngjillit, pasi që ka më shumë se 10 miliardë tonë thëngjill dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi.

Ish Ministrja Hajdari: Pushteti po rikthen në tryezë 'aferën ContourGlobal'

Lexo më shumë