KEK shpall tender 3.2 milionësh për rehabilitimin e kullës ftohëse në Termocentralin “Kosova B”
19 Gusht, 2024
Korporata Energjetike e Kosovës ka shpallur tender në vlerë prej 3.2 milionë euro për rehabilitimin e kullës ftohëse në Termocentralin “Kosova B”.
Afati për përfundimin e punimeve është 40 ditë nga dhënia e kontratës. Gjatë kësaj kohe, të dy njësitë e këtij termocentrali, B1 dhe B2, do të hiqen nga funksioni.
Në njoftimin për kontratë, KEK ka sqaruar se rehabilitimi ishte paraparë të bëhet gjatë vitit 2026.
“Afatet kohore për fillimin dhe ose përfundimin e kontratës Prandaj Autoriteti Kontraktues (AK), në kuadrin e punëve të veta ka paraparë që gjatë vitit 2026, të bëjë rehabilitimin e kullës ftohëse. Projekti po iniciohet në këtë vit, ashtu që të ketë kohë të mjaftueshme për parapërgatitje dhe prodhimin e materialeve të nevojshme për rehabilitim. Koha eventuale ne dispozicion për kryerjen e punës ne terren Total 45 ditë kalendarike të dy njësit B1 dhe B2, do të jenë të ndalura në të njëjtën kohë. Orari i punës prej 6 30 deri me 20 30 ne dy ndërrime pa ndërprerje. Nëse OE konsideron se mund të punohet edhe më gjatë me ndihmën e reflektorëve (ndriçim artificialë) duhet të theksoj ne ofertë dhe të cek këtë orar. Nga ndalesa e tërësishme e dy blloqeve, AK i duhet të ketë ujë në kadë edhe 36 deri 48 ore (pra max 2 ditë) për procesin e ftohjes së turbines”, theksohet në dosje.
Kompanitë që do të ofertojnë për këtë tender, preferohet të vizitojnë vendin ku do të realizohet projekti.
“Para startimit të njërës njësi (njësia B1 e cili do të jetë e ndalur për kohën prej 45 ditëve), uji për procesin e ftohjes, pra mbushja e kades me ujë duhet të përfundoj 2 ditë para startimit të njësisë. Prandaj kulla ftohëse do të jetë jashtë operimit dhe e lirë për OE për zhvillimin e punëve të rehabilitimit në kohëzgjatje 45 ditë. Ose, bazeni (kada) i kullës ftohëse pa ujë fare – 40 ditë. Koha e parashikuar e ekzekutimit të punëve në terren është viti 2026, gjatë muajve korrik deri ne gusht. Parashikimi I implementimit te kullës ftohëse është 1 Korrik 2026 – 16 Gusht 2026 Site vizita Vizita ne vend–ndodhje është dëshirueshme për te pare nga afër vendin ku do te realizohet projekti. Site Vizita do te mbahet me dt. 30.08.2024 ne ora 10 00, vendtakimi TC KOSOVA B, Drejtoria, Kastriot”, thuhet tutje në dosje.
Kompanitë e interesuara për këtë tender, kanë kohë të dorëzojnë ofertat deri më 25 shtator, ora 12:00.
/Reporteri.net