Search

IEA: Emetimet e karbonit në botë në rritje që nga pjesa e dytë e vitit 2020

02 Mars, 2021


Ndërsa ekonomitë e vendeve kanë filluar të rikthehen pas kufizimeve të vendosura për aktitivetet ekonomike për shkak të pandemisë të krijuar nga virusi COVID – 19, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka publikuar të dhënat që tregojnë që ka një rritje të vazhdueshme të emetimeve të karbonit që nga pjesa e dytë e vitit 2020.

Sipas IEA, emetimet e karbonit në muajin dhjetor të vitit 2020 ishin për dy përqind më të larta se sa emetimet e të njejtës periudhë të vitit paraprak.

Dr. Fatih Birol, Drejtori Ekzekutiv i IEA tha se rikthimi i emetimeve të karbonit filloi disa muaj pasi pandemia shkaktoi rënien më të madhe të tyre, që nga përfundimi i luftës së dytë botërore.

Sipas trendit aktual të emetimeve, viti 2019 që së fundmi konsiderohej si viti i fundit me më së shumti emetime karboni, duket se nuk do të jetë i fundit.

Andaj, Birol nga IEA tha se futja e energjisë së pastër në politikat e qeverive të vendeve të ndryshme duhet bërë sa më shpejtë që të jetë e mundur.

‘Nëse në muajt e ardhshëm qeveritë nuk e fusin energjinë e pastër në politikat e tyre, atëherë ne jemi përsëri në rrugë për të kthyer veprimtaritë që lirojnë shumë karbon, siç edhe ishte më herët. Është në kundërshtim me zotimet dhe angazhimet ambicioze të bëra një pas një nga qeveri të ndryshme’, tha Dr. Fatih Birol drejtori ekzekutiv i IEA.

Paketat e rimëkëmbjes ekonomike në botë: SHBA dhe Kina me stimulimin më të vogël për ekonomi të gjelbër

IEA është një nga grupet më aktive në thirrjet për futjen e planeve qeveritare për politika të gjelbërta si pjesë e pakove të stimulimit dhe rimëkëmbies ekonomike pas pandemisë.

Ndërsa vendet si Franca, Spanja, Britania e Madhe dhe Gjermania kishin arritur të impononin politika të gjelbërta në planet e tyre të rimëkëmbies ekonomike, SHBA, Kina, India dhe Brazili vlerësohen të jenë vendet që kanë bërë kontributin më të vogël në këtë fushë.

Madje, në këto vende edhe është regjistruar rikthimi marramendës i emetimeve të karbonit në pjesën e dytë të vitit të kaluar, ndërsa të njejtat po ri-hapnin ekonomitë e tyre.

‘Kjo tregon se qeveritë nuk kanë vendosur aq politika për energji të gjelbër në pakot e tyre të rimëkëmbjes ekonomike. Ne i kemi paralajmëruar se nëse polikat nuk futen në rend, atëherë ne do të ktheheshim ku kemi qenë para krizës pandemike, gjë që është duke ndodhur sot’, tha Birol, drejtori ekzekutiv i IEA.

Ndërsa Kina ishte ndër të parat ekonomi botërore që u lirua nga kufizimet e pandemisë si dhe e vetmja që shënoi rritje ekonomike, në muajin dhjetor emetimet e karbonit në këtë vend ishin 7 për qind më të larta se emetimet në dhjetor të vitit 2019.

Si shembull, në muajin shkurt të vitit 2020 emetimet në Kinë ishin 12 për qind më të ulëta se në muajin shkurt 2019.

Falë vazhdimit të masave të kufizimit, BE arriti të mbajë nivelet e emetimeve nën nivelet e vitit 2019

Sipas IEA, Bashkimi Evropian poashtu kishte arritur pikën më të ulët të emetimeve prillin që lëmë pas. Sipas të dhënave në prill të 2020 nivelet e emetimeve ishin për 22 përqind më të ulëta se të njëjtën periudhë të vitit 2019.

IEA ka thënë se në BE, nivelet e emetimeve qëndruan për 5 për qind nën nivelet e emetimeve të vitit paraprak deri në muajin dhjetor, e kjo falë kufizimeve për shkak të krizës pandemike.

Dr. Fatih Birol, drejtori ekzekutiv në IEA thotë se nuk është vonë për qeveritë të parandalojnë rritjen e niveleve të emetimeve.

‘Qeveritë e të gjitha shteteve, e në veçanti ekonomitë e mëdha si SHBA, Kina, India, Evropa dhe Japonia, duhet sa më shpejtë të fusin politika për energji të pastër në pakot e tyre të rimëkëmbjes ekonomike’, ka përsëritur Birol.