Search

Gjykata në BE: Bullgaria nuk është dashur të lejonte operimin e TEC-eve jasht rregullave të ndotjes

13 Mars, 2023


Gjykata e Drejtësise e Bashkimit Evropian ka thënë se autoritetet bullgare nuk është dashur të lejonin termocentralin 1620 megavatësh me qymyr Maritsa East 2 të operonte duke emetuar dioksid sulfuri mbi nivelet e lejuara të BE-së.

Kjo gjykatë solli vendimin pas kërkesës nga organizatat Greanpeace Bulgaria dhe Za Zemiata, pasi qeveria bullgare kishte lejuar operimin e këtij termocentrali më 2018, anipse i njejti po tejkalonte vlerat e lejuara të emetimit.

Pas vendimit, organizata Greanpeace në Bullgari ka thënë se pret nga institucionet e drejtësisë në Bullgari të rishikojnë vendimin e vitit 2021, që kishe lejuar operimin e tyre duke shkelur normat mjedisore.

Në vitin 2020, Komisioni Evropian ka filluar procedurat ligjore ndaj Bullgarisë, pasi ky vend kishte dështuar të respektojë një vendim të mëparshëm të gjykatës që e gjeti atë duke operuar në shkelje të kornizës ligjore të BE-së për cilësinë e ajrit.

Në maj 2022, gjykata e BE-së vendosi se Bullgaria kishte kundërshtuar rregullat e BE-së për ndotjen e ajrit, si dhe të trajtojë ndotjen nga dioksidi i sulfurit, që po shkaktohej nga termocentralet me qymyr.

Bullgaria ka katër termocentrale të mëdha me qymyr – Maritsa East 2, ContourGlobal Maritsa East 3, AES Galabovo dhe Bobov Dol, me kapacitet të përgjithshëm të instaluar të prodhimit prej 4,119 megavatësh.