Gjatë rikthimit të njësisë B1 pati emetime më të theksuara
09 Shtator, 2024
Korporata Energjetike e Kosovës ka pranuar se për dy javë ka pasur emetime më të mëdha se zakonisht.
Një ditë më parë, KOHA raportoi për ankesat e qytetarëve ndaj KEK-ut për ndotje të ajrit, jashtë vlerave të lejuara. Përderisa KEK-u nuk kishte dhënë përgjigje mbi këto ankesa, në një sqarim të enjten ka thënë se e ka eliminuar emetimin e tillë.
“Kthimi i njësisë B1 në operim ka ndodhur me 18.08.2024 dhe nga ajo ditë e deri me 03.09.2024 ka pasur emetime pak më të theksuara se zakonisht, por edhe kjo është eliminuar fal gatishmërisë dhe angazhimit të stafit të TC Kosova B. Megjithatë duhet pas parasysh edhe faktin se TC Kosova B operon me pajisje dhe komponentë të elektrofiltrave si ato mekanike ashtu edhe elektrike me vjetërsi prej mbi 40 vjeçare”, thuhet në njoftim.
Në përgjigje, KEK-u po ashtu ka thënë se po i koordinon veprimet me zyrën e Bashkimit Evropian për të nisur implementimin e projektit të elektrofiltrave në njësitet B-1 dhe B-2 “kur edhe pritet që TC Kosova B të operojë në përputhje të plotë me direktivat e BE sa i përket emetimeve”.