Fabrika e çimentos në Klinë – Pa leje?
July 26, 2023

Leximi i këtij artikulli zgjatë: 5 minuta
Të vendosur para komunës, me pankartat “Nuk e meritojmë ndotjen”, “Fabrika=Ndotja e ujit, ajrit e tokës”, “Mos ma prek Dukagjinin”, qytetarët kërkuan të tërhiqet prapa vendimi për ndërtimin e fabrikës së çimentos në fshatinë Dollc të Klinës.
Banorët po e kundërshtojnë këtë ndërtim duke thënë se i njëjti do të shkatërrojë mjedisin, ajrin, burimet e ujit, florën e faunën, raporton Kosova Press.
Organizatori i kësaj proteste, Veton Raci, tha se nuk do të lejojnë ndërtimin e kësaj fabrike. Ai tha se mbështetje për këtë kanë marrë edhe nga komuna e Pejës, Istogut dhe Malishevës.
Në vitin 2020, afër pesë mijë qytetarë të Klinës e kanë nënshkruar një peticion duke e kundërshtuar ndërtimin e fabrikës së çimentos.
Sot mbahet protesta kundër ndërtimit të Fabrikës së Çimentos në Klinë
Ditën e djeshme pas protestave komuna e Klinës ka dal me një deklaratë e cila njofton se kësaj kompanie i është pezulluar leja, raporton Kosovo Energy.
Komuna e Klinës në vazhdimësi ka përcjellë me vëmendje reagimet në lidhje me ndërtimin e fabrikës së çimentos në komunën e Klinës.
Për hirë të transparencës, llogaridhënies dhe korrektësisë që kemi treguar dhe vazhdojmë të tregojmë ndaj mediave dhe në veçanti ndaj qytetarëve, sqarojmë prapë se lejes ndërtimore për ndërtimin e fabrikës së cementit i kanë paraprirë një varg dokumentesh të lëshuara nga institucione të tjera.
Sikurse miratimi edhe refuzimi i lejes ndërtimore kërkon mbështetje në rregullativën ligjore. Pas lejeve të siguruara nga kompania në fjalë në ministritë e linjës dhe institucionet tjera përgjegjëse, komuna nuk ka pasur bazë ligjore për refuzim të lejes.
Për hirë të llogaridhënies ndaj qytetarëve, dëshirojmë të sqarojmë se pas pezullimit të pëlqimit mjedisor nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, komuna e Klinës, respektivisht Drejtoria e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, menjëherë ka bërë pezullimin e lejes ndërtimore.
I njoftojmë qytetarët se nga dita e marrjes së vendimit për pezullim të lejes ndërtimore e deri më sot inspektorati komunal nuk ka lejuar dhe nuk do të lejojë asnjë aktivitet që ndërlidhet me ndërtimin e fabrikës së çimentos, sepse tanimë leja e ndërtimit është e pezulluar.
Si institucion lokal jemi të obliguar ligjërisht që çdo veprim të ministrive të linjës të zbatohet me vendime nga niveli lokal konforom rregullatives ligjore, thuhet në deklaratën e komunës për media.
Aktivistët e kanë quajtur këtë deklaratë të komunës si “keqinformim” i qytetarëve pasi ishte ministria infrastrukturës ajo që ka pezulluar lejën e këtij operatori dhe në qoftë se vendimi do të kishte kompetencë e komunës leje nuk do të hiqej dhe fabrika do të ndërtohej përkundër ankesave të qytetarëve.
/Kosovo Energy News