KOSTT: Prezantohet progresi i Kosovës me integrimin e tregjeve dhe tranzicionin e energjitik para Komuniteti të Energjisë
June 09, 2026
Kryeshefi Ekzekutiv i KOSTT, Trim Tërnava, ka qenë pjesëmarrës në Forumin e 31-të të Energjisë Elektrike në Athinë, një nga ngjarjet më të rëndësishme rajonale të sektorit energjetik.
Në këtë forum u diskutuan temat kyçe që lidhen me integrimin e tregjeve të energjisë, sigurinë e furnizimit, fleksibilitetin e sistemeve elektroenergjetike, ndikimin e CBAM dhe tranzicionin e energjisë.
Gjatë panelit kushtuar implementimit të Pakos për Integrimin e Energjisë Elektrike dhe rrugës drejt tregut pan-evropian të energjisë, kryeshefi i KOSTT, Trim Tërnava, prezantoi progresin e Kosovës në harmonizimin me kornizën evropiane, përfshirë avancimin në transpozimin e kodeve dhe udhëzimeve relevante, forcimin e koordinimit rajonal, si dhe përgatitjet për integrim më të thellë në proceset evropiane të tregut të energjisë.
Në diskutim u ngrit gjithashtu shqetësimi lidhur me mosalokimin nga pala serbe të kapaciteteve ndërkufitare në interkoneksionin Kosovë–Serbi, duke theksuar se kufizimi i qasjes në kapacitetet ekzistuese ndërkufitare pengon integrimin e tregut, kufizon konkurrencën dhe krijon barriera për tregtinë ndërkufitare.
U theksua se kjo situatë ka rezultuar me kosto shumë të larta të kapaciteteve ndërkufitare për pjesëmarrësit në treg, duke ndikuar negativisht në formimin efikas të çmimeve, duke kufizuar shfrytëzimin optimal të infrastrukturës ekzistuese dhe duke krijuar kosto shtesë që në fund reflektohen tek konsumatorët fundorë. Gjithashtu, u nënvizua se përdorimi efikas, transparent dhe jodiskriminues i kapaciteteve ndërkufitare mbetet esencial për funksionimin e tregjeve të integruara rajonale dhe evropiane.
KOSTT me këtë rast ka theksuar se mbeten të përkushtuar në avancimin e proceseve integruese, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe rritjen e rolit të Kosovës në zhvillimet rajonale dhe evropiane të sektorit energjetik.