KEK: Njësia A4 do t’i nënshtrohet remontit vjetor
June 10, 2026

Korporata Energjetike e Kosovës, KEK, ka njoftuar se njësia A4 e Termocentralit Kosova A do t’i nënshtrohet remontit të rregullt vjetor.
Ky remont realizohet në kuadër të aktiviteteve të planifikuara të mirëmbajtjes dhe përgatitjes së kapaciteteve gjeneruese për periudhat kur kërkesat për energji elektrike shënojnë rritje (dimri), si dhe në përputhje me Bilancin Vjetor të Energjisë Elektrike.
Nga dita e djeshme, njësia është larguar nga rrjeti.
Remonti vjetor ka për qëllim inspektimin, riparimin dhe sanimin e pajisjeve kryesore, rritjen e besueshmërisë operative, përmirësimin e performancës teknike dhe sigurimin e operimit të qëndrueshëm të njësisë gjatë ciklit të ardhshëm njëvjeçar të punës.
“Remonti vjetor i njësisë A4 përfaqëson një ndër aktivitetet më të rëndësishme të mirëmbajtjes së planifikuar në Termocentralin Kosova A dhe është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të KEK-ut për ruajtjen e sigurisë së operimeve, rritjen e disponueshmërisë së kapaciteteve gjeneruese dhe garantimin e prodhimit të qëndrueshëm të energjisë elektrike për vendin. Përmes këtyre ndërhyrjeve parandaluese dhe korrigjuese, synohet që njësia të operojë në mënyrë të sigurt, stabile dhe efikase deri në remontin e radhës vjetor.” Thuhet në njoftimin e KEK.
Paralelisht nga KEK është duke u realizuar projekti i modernizimit të njësisë B1 në TC Kosova B, raporton Kosovo Energy.