Dilemat e rivitalizimit të Kosovës A
01 Gusht, 2024
Planifikimi i Qeverisë së Kosovës për të investuar në rehabilitimin e termocentralit Kosova A, për furnizim aktual, por edhe si investim strategjik rezervë, po konsiderohet si vendim jo i duhur për shkak të vjetërsisë së këtij termocentrali dhe ndotjes që shkakton.
Në anën tjetër ky termocentral prodhon 35% të konsumit vendor të energjisë elektrike dhe aktualisht është i domosdoshëm.
Zgjidhje e qëndrueshme mbetet energjia e ripërtëritshme.
Burimi kryesor i energjisë elektrike në Kosovë janë termocentralet Kosova A dhe Kosova B, të cilat prodhimin e realizojnë përmes djegies së qymyrit.
Sipas raportit vjetor për vitin 2022 të Zyrës së Rregullatorit për Energji, kapaciteti total operativ i gjenerimit të energjisë elektrike në Kosovë është 1,236 MW, prej të cilit 960 MW apo 77.7% janë nga dy termocentralet dhe pjesa tjetër janë hidrocentralet dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë.
Kosova A është ndërtuar në vitin 1962, ndërkaq Kosova B në vitin 1983.
Vjetërsia e tyre ka shkaktuar debat në vitet e fundit se si duhet vepruar me këto dy termocentrale, e veçanërisht me Kosovën A.
Dilemat kryesore të çfarëdo vendimi ndërlidhen me faktin se aktualisht këto dy termocentrale janë jetike për furnizimin e vendit me energji elektrike, ndërkaq në anën tjetër janë ndotës të mëdhenj të mjedisit si dhe pësojnë avari kohë pas kohe, e rrjedhimisht jostabilitet energjetik.
Përtej kësaj, Kosova ka nënshkruar Deklaratën e Sofjes për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, e kjo do të thotë se deri në vitin 2050 Kosova nuk duhet të prodhojë energji elektrike nga djegiet fosile.
Edhe vizioni i qeverisë aktuale është që të zhvillojë një sektor energjetik pa emetim të dyoksidit të karbonit CO2 deri në vitin 2050.
Debatin rreth Kosovës A e ndezi edhe më shumë Strategjia e Energjisë e Republikës së Kosovës 2022-2031, të cilën Kuvendi e miratoi më 8 mars 2023.
Në këtë strategji thuhet se vizioni i qeverisë është që të zhvillojë një sektor energjetik pa emetim të dyoksidit të karbonit CO2 deri në vitin 2050, të integruar në tregun Pan-Evropian, duke garantuar siguri të furnizimit me energji elektrike dhe të përballueshme për qytetarët.
“Strategjia e Energjisë nuk parasheh një impiant të ri linjiti. Kjo Strategji parasheh një rritje dinamike të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, kryesisht në teknologjinë e erës dhe atë fotovoltaike, të mbështetura me ankandet e burimeve të ripërtëritshme dhe investimet publike, si dhe pjesëmarrjen aktive të konsumatorëve në këtë proces”, thuhet ndër të tjera në strategji.
Në këtë strategji fokusi kryesor është tek energjia e ripërtëritshme, por diskutimi dhe dilema më e madhe siç duket është planifikimi i investimit në termocentralin Kosova A, përkatësisht rehabilitimi i njërës nga njësitë e këtij termocentrali për të siguruar kapacitet prej së paku 540 MW për ngarkesë bazë dhe 360 MW kapacitet si rezervë strategjike deri në vitin 2030.
Sipas strategjisë, njëra nga njësitë e termocentralit Kosova A do të rinovohet deri në fund të vitit 2024, ndërsa vendimi për rinovim ose mbyllje të njësisë së dytë do të merret më së voni më 2024.
“Njësia e rinovuar e termocentralit Kosova A do të punojë si rezervë strategjike nga viti 2028, që do të thotë se kjo njësi do të jetë në dispozicion në sezonin e ngrohjes (dimrit) kur kërkesa për energji elektrike është më e lartë, ose në raste të jashtëzakonshme si kriza e fundit energjetike. Njësia e tretë operuese e këtij termocentrali do të mbyllet përgjithmonë, pasi të ketë përfunduar rinovimi i njësive të tjera të linjitit”, thuhet në strategji.
Lidhur me këtë çështje, nga Korporata Energjetike e Kosovës kanë thënë për Preportr se e kanë një plan rindërtimi të njësisë A3 të termocentralit Kosova A, ku vlera e parashikuar e kostos është 100-150 milionë euro.
“Objektivi i KEK-ut është që këtë vit të përgatitet dokumentacioni teknik i cili përfshinë edhe pjesën administrative/ligjore si dhe përgatitjen e dokumentacionit për tenderim. Do të analizohen cili variant i kaldajës së avullit, turbinës dhe gjeneratorit së bashku me sallën e makinerisë do të jenë më të përshtatshme për t’i instaluar/modernizuar në këtë njësi gjeneruese”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.
/Shqip.com