Search

Dekarbonizimi i qendrave të të dhënave do t’i japë formë tranzicionit të gjelbër

07 Maj, 2024


Bumi i qendrave të të dhënave rrezikon të nxisë ndërtimin e centraleve të reja elektrike me gaz.

Herën tjetër që do të përdorni ChatGPT, pyeteni se për sa energji ka nevojë për t’ju përgjigjur pyetjes suaj. Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), përgjigjja është 2.9 vat në orë (Wh), ose dhjetë herë më shumë se një kërkim në Google.

Entuziazmi për Inteligjencën Artificiale shpjegon arsyen se pse kërkesa për energji elektrike nga qendrat e të dhënave pritet të rritet.

Ky konsum ekstra është një problem për tranzicionin energjetik.

Por siç tregon një marrëveshje e Microsoft, për të mbështetur me rreth 10 miliardë dollarë projekte të reja me burime të rinovueshme me shoqërinë Brookfield, gjigantët e teknologjisë të kujdesshëm ndaj reputacionit, janë në një situatë të mirë për të dhënë ndihmesën e tyre.

Sfida është e qartë. Sipas IEA, kërkesa nga qendrat e të dhënave do të dyfishohet brenda vitit 2026, nga 460 TWh në 1000 TWh.

Më keq akoma, strukturat e përpunimit të të dhënave priren të përqendrohen drejt vendeve të favorshme. Në Irlandë, për shembull, e cila gëzon regjim fiskal të favorshëm, në vitin 2026 ato do të përfaqësojnë më shumë se 30% të konsumit total të energjisë.

Arritja e këtij objektivi është një punë e vështirë, mbi të gjitha kur institucionet publike dhe rrjetet janë tashmë nën presion. Në fakt, Irlanda do të lejojë qendrat e reja të të dhënave të lidhen me rrjetin vetëm nëse do të kenë mundësinë të vetëfurnizohen.

Rreziku është që bumi i qendrave të të dhënave mund të nxisë ndërtimin e centraleve të reja elektrike me gaz.

Microsoft po ndërton një termocentral elektrik me gaz në Dublin për të siguruar energji rezervë. Aspekti pozitiv, megjithatë, është që gjigantët e teknologjisë janë të pasur, inovativë dhe të etur për të fituar pëlqimin e publikut të gjerë.

Ata janë tashmë blerës të mëdhenj të energjisë së rinovueshme, duke nënshkruar kontrata për blerjen e energjisë me afat të gjatë, që u mundësojnë zhvilluesve të ndërtojnë kapacitete të reja.

Një shembull është marrëveshja e Microsoft me Brookfield, tetë herë më e madhe se blerja e mëparshme e kompanisë.

Shtimi i energjisë së gjelbër në rrjet është pjesa më e thjeshtë. Qendrat e të dhënave kanë nevojë vazhdimisht për energji, ndërsa burimet e rinovueshme janë të paqëndrueshme.

Për të përmbushur konsumin në çdo vend dhe në çdo moment, siç kanë premtuar se do të bëjnë Google dhe Microsoft deri në vitin 2030, duhet të jesh krijues.

Përveç baterive, ata do të duhet të mendojnë për zgjidhje për ditët e rastësishme pa diell, pa erë ose me ndërprerje të rrjetit, duke krijuar një treg për ruajtje afatgjatë.

Zgjidhja ideale, natyrisht, do të ishte një teknologji që ofron energji elektrike të pastër dhe të besueshme. Sektori bërthamor nuk e ka pasur jetën të thjeshtë në shumë pjesë të botës.

Por Microsoft, për shembull, ka një drejtues të teknologjive bërthamore që punon në reaktorë të vegjël modularë për qendrat e tij të të dhënave. Me mbështetjen e botës teknologjike, rilindja e energjive bërthamore ka më shumë të ngjarë.

/monitor.al