Search

ČEZ pajtohet t’ia shesë të gjitha asetet në Rumani MIRA’s Australiane

26 Tetor, 2020


Kompania çeke e energjisë – ČEZ Group, ka nënshkruar marrëveshje të shitjes me Macquarie Infrastructure and Real Assets (MIRA) nga Australia, për shitjen e shtatë bizneseve të saja në Rumani, duke përfshirë edhe parkun e erës në bregdet me kapacitet prej 600 megavatësh.

Përvec bizneseve që kanë të bëjnë me prodhim të energjisë, në listën e aseteve të shitura nga ČEZ bën pjesë edhe ndërmarrja e distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike në Rumani, ka konfirmuar kompania përmes një komunikate për media.

ČEZ ka thënë se do të vazhdojë prezencën në Rumani, duke u fokusuar në shërbime të tregtimit të energjisë elektrike dhe të shërbimeve energjetike përmes kompanive ‘ČEZ Trade Romania’ dhe ‘High-Tech Clima’.

Procesi i shitjes së bizneseve të ČEZ në Rumani ka filluar para një viti dhe ka tërhequr interesim të madh nga një numër kompanish.

Në nëntor 2019, ČEZ ka konfirmuar se ka pranuar mbi 30 shprehje interesimi, para se të fillonte procedurën e tenderimit.

Shitja e bizneseve në Rumani do të lejojë ČEZ-in të fokusojë investimet e reja në pajtim me strategjinë aktuale të energjisë në Rumani, që përfshinë dekarbonizimin e prodhimit të energjisë elektrike, zhvillimin e burimeve të ripërtëritshme dhe ofrimin e shërbimeve modern energjetike.

MIRA është pjesë e Macquarie Group, një bankë shumëkombëshe dhe kompani e shërbimeve financiare me bazë në Australi.

ČEZ është bërë pjesë e tregut energjetik në Rumani në vitin 2005, kur ka bërë blerjen e kompanisë së distribuimit të energjisë elektrike ‘Electrica Oltenia’.

Që nga ky vit, ČEZ ka zgjëruar aktivitetet në sektorin e energjisë elektrike në Rumani, duke bërë blerjen e katër hidrocentraleve të vogla në vitin 2011 si dhe ndërtimin e parkut më të madh të erës në bregdet në vitin 2012.