Search

CAN Europe: Evropa në gjysmë të rrugës për të mbyllur të gjitha termocentralet me qymyr

26 Mars, 2021


Vetëm pesë vite pas nënshkrimit të marrëveshjes së Parisit dhe pas dekomisionimit të termocentralit në Ëest Burton, gjysma e 324 termocentraleve të qymyrit në Evropë janë mbyllur ose janë zotuar të mbyllen para vitit 2030. Ndryshe, të gjitha termocentrlaet në Evropë duhen mbyllur para vitit 2030 për të arritur synimet e përcaktuara në Marrëveshjen e Parisit.

Përdorimi i qymyrit në Evropë është në rënie që nga viti 2012. Trembëdhjetë vende në Evropë tani më nuk përdorin qymyri dhe njëmbëdhjetë tjera kanë miratuar vendime për të ndaluar përdorimin e tij para vitit 2030.

Në disa vende të varura nga qymyri, sikurse në Greqi ku pjesëmarrja e linjitit në miksin energjetik pesë vitet e fundit ka rënë nga 50 për qind në rreth 20 për qind, afati i fundit për shfrytëzim të qymyrit është përcaktuar viti 2023, nga viti 2028 sic ishte më herët.

Hungaria është një vend tjetër në Evropën Jugore që ka përafruar afatin e fundit për përdorim të qymyrit. Nga viti 2030, Hungaria ka thënë se do të ndërprejë përdorimin e qymyrit në vitin 2025.

Kjo qasje e të menduarit duhet të inspirojë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Deri më tani, në rajon vetëm Maqedonia e Veriut ka përcaktuar vitin 2030 si vit kur do të ndërprejë përdorimin e qymyrit.

Në 18 muajt e fundit disa nga vendet në rajon kanë lënë anash projektet e qymyrit për t’u koncentruar në tranzicionin energjetik drejt burimeve më të qëndrueshme, e këto përfshijnë Kosovën (termocentrali Kosova e Re), Maqedoninë e Veriut (rindërtimin e termocentralit në Oslomej) dhe Malin e Zi (termocentrali Pljevlja II).

‘Në nëntor të vitit të kaluar liderët e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar Deklaratën për Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, duke u përkushtuar për dekarbonizim të ekonomisë deri në vitin 2050, në pajtim me ligjin në ardhje të BE-së për klimën. Kjo nënkupton se të gjitha planet për projekte të reja të qymyrit duhet të ndërpriten, ndërsa vendet në rajon duhet të ndërtojnë politika të përshtatshme për të mundësuar transformimin shoqëror drejt një të ardhme të shëndetshme dhe të pastër. Një procesi i tillë i tranzicionit të qëndrueshëm energjetik është në vijë me ambicjet e tyre për integrim në BE’, ka thënë Viktor Berishaj nga organizata CAN Europe.

‘Jemi në fund të lojës së industrisë së qymyrit në Evropë. Pas viteve të rënies së pandërprerë, gjysma e flotës së qymyrit në Evropë tani më i përket historisë. Qeveritë, kompanitë e energjisë dhe institucionet financiare tani duhet të planifikojnë largimin e qymyrit në vitin 2030 apo edhe më herët, të përfundojnë të gjitha financimet për qymyr dhe gazin fosil, dhe në vend të kësaj, të drejtojnë mbështetjen drejt burimeve të ripërtëritshme dhe të qëndrueshme dhe në tranzicion të drejtë të komuniteteve të ndikuara. Në pesë vitet e ardhshme, shumë nga termocentralet operuese do të mbyllen’, ka thënë Kathrin Gutmann, drejtoreshë në fushatën ‘Evropa pas qymyrit’.