BERZH përkrahë 2.5 milion euro investime në efiçiencë të shtëpive në Kosovë
February 19, 2021

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka njoftuar se i ka dhuruar kredi bankës ProCredit në Kosovë në vlerë prej 2.5 milion eurosh, për të përkrahur investimet në teknologji të gjelbër dhe në efiçiencë të ndërtesave private rezidenciale.
‘Financimi po bëhet në kuadër të programit të BERZH për lehtësimin e financimit të ekonomisë së gjelbër (GEFF) për Ballkanin Perëndimor, që përkrahë investimet në efiçiencë të energjisë për rezidenca në një ndër rajonet me më së shumti emetime të gazrave serë në Evropë’, thuhet në komunikatën e BERZH.
Kredia e re e BERZH do t’i huazohet individëve, strehimoreve kolektive, prodhuesve, shitësve të teknologjive të gjelbërta dhe ofruesve të shërbimeve për investime që mbështesin tranzicionin e gjelbër në Kosovë.
Financimi do të mbështetet nga grantet nga Fondi i Përbashkët Evropian për Ballkanin Perëndimor nën Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian dhe Austria.
‘Është kritike për Kosovën të përfitojë nga mundësitë për rimëkëmbie të gjelbërt nga kriza pandemike. Ky partneritet me bankën ProCredit do t’i mundësojë banorëve të bëjnë shtëpitë e tyre më efiçiencte’, ka thënë Neil Taylor, shefi i zyrës së BERZH në Kosovë.
Programi GEFF operon përmes rrjetit të më shumë se 145 institucioneve lokale të financimit në 27 vende, dhe përkrahet me më shumë se 4.6 miliardë euro nga BERZH për 190,000 klientë deri më sot. Këto projekte kanë ndikuar në zvogëlimin e emetimeve vjetore të dyoksidit të karbonit për më shumë se 8.6 milion ton.
Deri më sot, BERZH ka investuar 522 milion euro në Kosovë përmes 75 projekteve prej se ka filluar operimin në vitin 2012. Përkrahja e zhvillimit konkurrues të sektorit privat është një ndër prioritetet kyçe në vend.