Search

Ballkan: Termocentralet me linjit po shuhen

31 Maj, 2024


Termocentralet me linjit në Ballkan po përballen me sfida të mëdha për shkak të kostove të larta të emetimeve dhe konkurrencës nga burimet e ripërtëritshme, si dhe impiantet me gaz natyror.

Një shembull është Ptolemaida 5 në Greqi, një termocentral me kapacitet 616 MW, i cili është përfunduar para dy vitesh nga Public Power Corp. (PPC).

Në katër muajt e parë të vitit 2024, Ptolemaida 5 ka funksionuar me kapacitet të ulët (rreth 11.9% dhe 31.3%), dhe kjo kryesisht për shkak të kostove të larta të emetimeve dhe konkurrencës, raporton Balkan Green Energy News.

Nga fillimi i majit, shumica e termocentraleve me linjit të PPC-së nuk kanë marrë pjesë në tregun me shumicë për shkak të kërkesës së ulët sezonale dhe mungesës së nevojës për ngrohje. Sidoqoftë, të njejtat pritet të përdoren përsëri gjatë verës për të siguruar stabilitet të sistemit gjatë temperaturave të larta dhe kërkesës së shtuar.

Në Greqi, operatorët e termocentraleve konvencionale kanë kërkuar nga qeveria krijimin e një mekanizmi për të siguruar qëndrueshmërinë e tyre komerciale afatgjatë. Kjo skemë duhet të dorëzohet në Komisionin Evropian brenda vitit të ardhshëm dhe të jetë në përputhje me rregulloret strikte të BE-së.

Termocentralet me linjit po përballen me vështirësi të ngjashme edhe në vende të tjera të Ballkanit.

Kryeministri i Sllovenisë, Robert Golob, ka pranuar se termocentrali në Shoshtanj dhe miniera e këtij termocentrali mund të mbyllen brenda tre viteve, në vend të vitit 2033 siç ishte planifikuar fillimisht, përcjell Kosovo.Energy.

Në Bullgari, prodhimi i energjisë nga termocentralet me linjit është përgjysmuar vitin e kaluar për shkak të konkurrencës nga burimet më të lira të energjisë, kostove të larta të emetimeve dhe standardeve mjedisore.

Ndryshe, në Turqi, ku nuk ka mekanizëm për çmimin e emetimeve, konsumi i energjisë nga linjiti është rritur, duke e bërë atë prodhuesin kryesor të energjisë nga linjiti në Evropë.

Serbia është në prag të vënies në punë të centralit Kostolac B3, pas vonesave të shumta në fazën përfundimtare të projektit. Ky mund të jetë termocentrali i fundit me linjit në Evropë.

/Kosovo.Energy