Search

Anijet me qira në Vlorë fillojnë prodhimin e rrymës më 1 janar 2023

19 Shtator, 2022


Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se 2 anijet e marra me qira, të cilat do të vendosen në Triportin e Vlorës do të nisin prodhimin e energjisë më 1 janar 2023-shin.

Kreu i qeverisë shqiptare gjatë një komunikimi me qytetarë dhe gazetarë, iu është përgjigjur akuzave të ngritura për ndikimin në mjedis, duke thënë se po dezinformohet publiku.

“Dy termocentralet lundruese që janë sot në gjirin e Vlorës, do të fillojnë prodhimin në 1 janar. Çfarë nuk është thënë për to. Jo vijnë nga Bangladeshi, jo do të helmojnë Vlorën, ku di unë se çfarë. E vërteta është që ato kanë ardhur, sepse janë pronë e kompanisë amerikane “Excelerate Energy”. Këto dy termocentrale lundruese janë termocentrale, të cilat do të na japin 114 megavat, që është e rëndësishme për një balancë energjetike në kushtet e krizës dhe ato jo nuk kanë ardhur këtu si rrënoja, por kanë ardhur këtu, si një rezultat i një pune të jashtëzakonshme, këmbëngulëse, diplomatike deri në nivelet më të larta. Sepse të gjesh sot, në kushtet e krizës, të tilla struktura është e pamundur, nevojë kanë të gjithë dhe të tilla struktura janë pak. Kjo kompani të tilla struktura ka vendosur në Manhattan, ka vendosur në Berlin. Pra, nuk jemi në kushtet, ku na kanë ardhur ca teneqe, që të tjerët i kanë sjellë këtu, por jemi në kushtet kur kemi shtuar fuqi energjetike për vendin tonë dhe jemi në kushtet kur po punojmë për një strategji pavarësie energjetike të Shqipërisë, që e kemi filluar që ditën 1 të qeverisë sonë”, deklaroi kryeministri Rama.

Anijet në Triportin e Vlorës do të prodhojnë 2400 MW energji në ditë

Lexo më shumë

Kryeministri dha detaje edhe rreth marrëveshjes me kompaninë amerikane “Excelerate Energy” për transformimin e TEC-it të Vlorës.

“Me kompaninë amerikane “Excelerate Energy” ne kemi projektin e transformimit të TEC-it të famshëm të Vlorës, i cili prej vitesh u ndërtua, u shpenzuan shumë miliona, dhe nuk u ndez kurrë, dhe u la një gërmadhë që nuk i afrohej dot njeri, në një burim energjie me gaz të lëngshëm. Do të kemi 100 megavat plus në fund të vitit 2023, dhe 200 të tjera plus, domethënë 300 megavat do të prodhojë vetëm ai termocentral”, u shpreh Rama.

Rama tha se Shqipëria do jetë një vend i pavarur, sovran dhe eksportues neto i energjisë brenda vitit 2030.

“Ka shumë njerëz që thonë “Po pse u kujtuat tani? Keni 9 vjet”? Nuk është kështu, nuk jemi kujtuar tani ne për asgjë, por çdo gjë kërkon kohën e vet sepse të bëheshin të tëra gjërat për 9 vjet, do ishin bërë njëherë në 500 vjet shtet këtu ose po themi, realitet politik këtu dhe në 100 e kusur vite shtet por nuk u bënë. Po bëhen tani dhe do bëhen tani dhe do bëhen deri në fund, me gjithë pengesat dhe vështirësitë, plus dhe me gjithë “stërkëmbëshat” dhe të përpjetat dhe tatëpjetat artificiale që na i vënë përpara “xhahajdurët” e politikës dhe të medias. Do bëhen këtu të gjitha një për një dhe Shqipëria do jetë një vend i pavarur, sovran dhe eksportues neto i energjisë brenda vitit 2030. Kjo mund të duket pak, por është shumë e sigurt. Ne do ta kalojmë këtë krizë më mirë sesa shumë të tjerë dhe shumë më të fuqishëm sesa ne”, tha ai.