Search

Anijet në Triportin e Vlorës do të prodhojnë 2400 MW energji në ditë

15 Shtator, 2022


Dy anijet me qira që do të vendosen në Triportin e Vlorës për prodhimin e energjisë, është një nga masat që ka marrë qeveria për të përballuar krizën energjetike.

Drejtori i përgjithshëm për Energjinë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Kakaraçi deklaroi sot se qeveria ka marrë disa masa për t’iu përgjigjur krizës ndërkombëtare të energjisë, ndër të cilat është edhe marrja e dy anijeve me qira që do të vendosen në Triportin e Vlorës për prodhimin e energjisë.

Në një intervistë në media, Kakaraçi u shpreh se energjia e prodhuar nga këto dy anije do të mbulojë 10-20 % të nevojave të vendit dhe do të prodhojë rreth 2400 megavat në ditë.

“Nëse nuk do të ishte kjo mënyrë, qeveria do të detyrohej të blinte energjinë me çmim tregu. Janë 2400 megavat në ditë, ndërsa çmimi i një megavati në bursa është sot 500 euro. Duhet llogaritur sa do të ishte kosto nëse do ta blinim në treg të lirë. Kjo është masë e përkohshme, krijon fleksibilitet. Përveç fashës dhe taskforcës, ne kemi theksuar dhe rritjen e eficiencës përmes kursimit të energjisë. Në muajin tetor, do lançohet edhe masë mbështetëse për instalimin e paneleve diellore. Do të subvencionohet 70% e kostos për 2000 abonentë familjarë”, tha Kakaraçi.

Duke iu përgjigjur edhe akuzave të opozitës, Kakaraçi bëri me dije se më parë humbjet në rrjet llogariteshin rreth 50%, ndërsa sot niveli i humbjeve në rrjet ka zbritur në 21%.

Duke folur për menaxhimin e kaskadës së Drinit, Kakaraçi u shpreh se duhet bërë kujdes pasi edhe nëse do të ketë prurje përgjatë muajve të parë të vitit sërish nuk mund t’i përdorësh në verë, sepse duhen ruajtur për në vjeshtë.

“Sektori energjetik shqiptar është i bazuar 99% nga hidrocentralet. Si e tillë, është energji e rinovueshme. Ne mbulojmë, në varësi të prurjeve 70-80% të energjisë nga hidrocentralet tona. Pa llogaritur që kanë ndryshuar shumë elemente, por kemi janar, mars e prill, muaj që priten reshje dhe muajt më pas që nuk kanë reshje e janë të thata. Edhe nëse hyn në një vit jashtëzakonisht të mirë me kaskadë ku niveli të jetë 297 m në qershor, je i detyruar që në korrik e gusht përveç prodhimit nga kaskada edhe të importosh pasi duhet ruajtur kaskada që të përgatitesh për muajt e tjerë”, tha Kakaraçi.

Ndër të tjera, ai theksoi se bizneset nuk preken nga vendimi i qeverisë për të faturuar çdo abonent me 42 lekë pa TVSH për çdo kilovat mbi 800 kWh.

“Nga bizneset nuk preket asnjë kategori. Ka 2 grupe biznesi, një grup që janë të lidhur me tension të mesëm. Këto, rreth 7500 abonentë duhet të kishin marrë energjinë elektrike në treg të lirë. Duke marrë në konsideratë kushtet, qeveria në janar të këtij viti vendosi që t’i mbrojë për një periudhë tranzitore. Ato faturohen me rreth 18 lekë kWh, që është shumë më i ulët. Edhe bizneset me tension të ulët vijojnë të marrin të njëjtin çmim, si përgjatë gjithë këtyre viteve”, tha Kakaraçi.

Qeveria ka marrë vendimin që nga data 1 tetor, familjet të cilat do shpenzojnë mbi 800 kWh do ta paguajnë çmimin e energjisë elektrike me 42 lekë. Ndërsa për familjet që nuk e kalojnë fashën 800 kWh, çmimi nuk ndryshon dhe do të vijojnë ta paguajnë energjinë elektrike me 9.5 lekë.

Tregu aktual i bursës së energjisë ka pësuar goditje të rëndë për shkak të luftës në Ukrainë. Çmimet kanë arritur shifra marramendëse, ku shifra më e lartë u regjistrua më 30 gusht, konkretisht 1048 euro një MWh.

/j.p/r.e/