15% rritje – ZRRE-ja propozon ngritjen e çmimit të energjisë elektrike
March 17, 2025

Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë, ZRRE, njoftoi të premten se ka propozuar ngritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15% muajin e ardhshëm.
Lajmi u bë i ditur të premten përmes publikimit të raportit konsultativ për të hyrat maksimale të lejuara, ku parashihet shtrenjtimi i tarifave të rrymës.
Sipas njoftimit të ZRrE-së, publikimi i raportit u jep mundësinë palëve të interesuara që të shqyrtojnë dhe të japin komente mbi propozimin e rritjes së tarifave. Afati për dorëzimin e komenteve është deri më 28 mars.
ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.
Kjo rritje vjen pas kërkesave të tre kompanive të sektorit të energjisë në Kosovë,KOST, KEDS dhe KESCO. Të cilat thonë se nevoja për shtrenjtimin e rrymës lidhet me kostot e larta të importit të energjisë elektrike.
“Raportet Konsultative paraqesin propozimet fillestare të ZRrE-së për të hyrat maksimale të lejuara për këto ndërmarrje, Ky publik ofron mundësinë që të gjitha palët e interesuara të shqyrtojnë propozimet dhe të japin komente dhe sugjerime që mund të ndikojnë në përcaktimin e vendimeve përfundimtare mbi tarifat.” Bazuar në rezultatet e këtyre raporteve, pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorët të jetë rreth 15%” – thuhet në njoftim.
Javë më parë, tri kompanitë e sektorit të energjisë në Kosovë i kërkuan rregullatorit të energjisë rritjen e çmimit të tarifave të rrymës.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOST), Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.
Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3%. Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15% për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800kW në orë brenda një muaji, çmimi i energjisë gjatë ditës është 7.79 centë/kW, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800kW kilovatë, pjesa mbi këtë prag u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800kW dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.
Në fillim të marsit, ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, paralajmëroi për Radion Evropa e Lirë se rritja e çmimit të energjisë elektrike ishte e pashmangshme.

Në intervistën për REL-in, ai tha se për të zvogëluar sasinë e importit, Kosova duhet të rrisë prodhimin vendor, sidomos përmes energjisë alternative. Kosova nuk arrin t’i plotësojë nevojat e mbi 1.6 milion banorëve të saj për energji elektrike, andaj edhe importon nga bursat e huaja.
Vendi ka kapacitet të prodhojë rreth 800MWh, ndërsa nevojat e tij, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.500MWh.
Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve Kosova A dhe Kosova B. Aktualisht, mbi 20%e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga burimet alternative, si: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet me diell.
Autoritetet e Kosovës kanë thënë më herët se synimi është që pas vitit 2031, 35% e energjisë elektrike të gjenerohet nga këto burime.
Strategjia për Energji 2022-2031 e Kosovës përqendrohet tek investimet në energji të ripërtërishme, por një pjesë përfshin edhe Termocentralin Kosova A, përkatësisht investimet në së paku një njësi apo bllok të tij.
/Telegrafi