Search

ZRRE vendos për rritje prej 16% të çmimit të energjisë

April 11, 2025


Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës i ka miratuar kërkesat e tre operatorëve energjetikë për të hyrat e lejuara maksimale të premten, duke ngritur  çmimin e energjisë elektrike për 16%.

Në njoftimin e ZRRE thuhet se rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të hyrat e lejuara maksimale është rreth 16%.

Ndërkohë, derisa ZRRE po diskutonte për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike një numër qytetarësh protestuan në sheshin Zahir Pajaziti në qendër dhe pranë zyrës së rregullatorit në Pejton.

Kërkesa për shtrenjtimin e rrymës u kundërshtua nga Presidenca dhe nga qytetarë. Kurse qeveria në detyrë i bëri thirrje ZRRE-së ta mos e shtrenjtojë çmimin e rrymës për konsumatorët që shpenzojmë më pak se 800kW në muaj.

Çmimi i tanishëm i rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800kW brenda një muaji, është 7.79 cent/kW, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800kW, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800kW dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo vit më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Të hyrat maksimale për Kompaninë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] janë 435 milionë euro, përkundër që kërkesa e tyre fillestare ishte 447 milionë euro. Ndërkaq, ZRrE vendosi që të hyrat maksimale për Kompaninë për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] për vitin 2025 të jenë 180 milionë euro, ani pse kërkesa e tyre ishte 180 milionë euro. Në anën tjetër, të hyrat maksimale për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOSTT] u vendos të jenë 101 milionë euro, transmeton Telegrafi.

Pjesë e shqyrtimit nga Bordi kanë qenë edhe ankesat e konsumatorëve dhe çështje të tjera të lidhura me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, thuhet në njoftim.

Protestuesit të organizuar nga grupi “Asnjë Cent ma Shumë”, për të kundërshtuar paralajmërimet për rritje të çmimit të energjisë elektrike.

Me pankarta në duar “Mbroj familjen tënde-protesto”, Qytetarët nuk janë bankomat”, “Nuk paguajmë për dështimet tua”, etj, protestuesit shprehën pakënaqësinë ndaj kërkesës së kompanive energjetike për rritjen e tarifave të rrymës.

Aktivisti Besnik Shabiu ka thënë se thirrja e përbashkët e qytetarëve në protestën e kaluar shkoi në vesh të shurdhët tek ZRrE.

“ E thirrja e qytetarëve është ‘Asnjë Cent ma Shumë’. Sot në një mënyrë arbitrare dhe të njëanshme bordi i ZRrE vendosi në emër të qytetarëve pa i pyetur dhe pa i marr komentet e tyre. Nga sheshi ia çojmë një selam që këta qytetarë sot këtu dhe ata që ishin më 5 prill e kanë thënë përgjigjen, e përgjigja e tyre është e qartë ‘Asnjë Cent më Shumë’. Nuk ju mjaftoj rritja 126 për qind e tarifës së lartë, nuk ju mjaftojnë që jemi popullo me i varfër në rajon, a dini çka na kanë që ne nuk ju përgjigjem thirrjes. Ne ju kërkuam debat publik…fatkeqësisht zëri i  datës 5 prill nuk ju mjaftojë. E siç as zëri i sotëm nuk do të ju mjaftojë…”, u shpreh Shabiu.

Ai tha se nuk po luftojmë kundër armikut, por kundër njerëzve tanë duke shtuar se do t’i ndjekin rrugët ligjore duke paditur ZRRE-në.

/Telegrafi