Search

ZRrE sjell dy lajme shumë të mira

18 Korrik, 2023


Leximi i këtij artikulli zgjatë: 4 minuta

Ditën e djeshme, më 17 korrik 2023, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE) dhe Bordi i Entit Rregullor i Energjisë i Shqipërisë (ERE) mbajtën mbledhje e dytë të përbashkët në Prishtinë.

Qëllimi i kësaj mbledhje ka qenë shqyrtimi i emërimit të ALPEX si operator i tregut dhe në Kosovë. Në këtë takim u miratua kj kërkesë dhe ALPEX-it tani ka emërtimin Operator i Emëruar i Tregut të Energjisë Elektrike (NEMO) në Kosovë.

Fillimi i operimit të bursës dhe në Kosovë pritet në Shtator të këtij viti.

Një tjetër akt i nënshkruar nga Zyra e Rregullatorit ditën e djeshme ka qenë dhe marrëveshja e bashkëpunimit me Maqedonin e Veriut. Marrëveshja e nënshkruar lejon njohjen reciproke të licencave të tregtimit dhe furnizimit të energjisë elektrike, raporton Kosovo Energy News.

Nëpërmjet kësaj marrëveshje do të hapen dyert për mundësi të reja për furnizuesit dhe tregtarët e energjisë elektrike si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut. Duke hequr barrierat e panevojshme dhe duke thjeshtësuar proceset administrative, bizneset do të fuqizohen që të operojnë në mënyrë më efikase, të zgjerojnë shtrirjen e tyre dhe të kontribuojnë në rritjen ekonomike të të dyja vendeve.

Rezultatet nga ngjarja e sotme pritet të përmirësojnë fluksin e energjisë elektrike përtej kufijve tanë, por gjithashtu do të promovojnë konkurrencë efektive, do të inkurajojnë investimet dhe do të forcojnë rritjen ekonomike. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme për të dy vendet tona për të forcuar sigurinë tonë energjetike dhe për të diversifikuar burimet tona të energjisë, thuhet në deklaratën e ZRRE.

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm: Ministrja e Ekonomisë znj. Artane Rizvanolli, Nënkryetarja e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Tregti dhe Ndërmarrësi znj. Jeta Statovci, Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji, Bordi i Regullatorit të Energjisë nga Maqedonia e Veriut dhe pjesëmarrës nga komuniteti i energjisë në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.