Search

Osmani: Mbi 200 milionë euro nga MCC-ja do ta transformojë sektorin e energjisë

30 Prill, 2024


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të fillimit zyrtar të Programit Kompakt, priti sot në takim Cameron Alford, zëvendëspresident në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC).

Sipas një komunikate të Presidencës, në takim u diskutua për fillimin zyrtar të Programit Kompakt. Presidentja Osmani theksoi se granti prej mbi 200 milionë euro nga MCC-ja do ta transformojë thellësisht sektorin e energjisë në Kosovë.

Më tej, Osmani tha se ky program do të japë kontribut strategjik në përmirësimin e infrastrukturës energjetike, fuqizimin e sektorit privat, si dhe do të nxisë mundësitë ekonomike për qytetarët e Kosovës.

Në këtë frymë, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për mbështetjen e vazhdueshme të MCC-së, ndërsa theksoi se Programi Kompakt është investimi më i madh në fushën e energjisë dhe shërben si dëshmi e fuqisë së partneritetit Kosovë-SHBA.

Presidentja, po ashtu, theksoi se ky program do të garantojë një të ardhme energjetike ku gratë do të kenë rol kyç dhe do të jenë kontribuese aktive në adresimin e sfidave të së ardhmes në fushën e energjisë.

/KosovaPress