ZRRE: Kosova pranohet anëtare me të drejta të plota në ERRA
May 18, 2026

Në Asamblenë e Përgjithshme të Asosacionit Rajonal të Rregullatorëve të Energjisë, ERRA (Energy Regulators Regional Association), Kosova është pranuar anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë ndërkombëtare të rëndësishme të rregullatorëve të energjisë.
Këtë njoftim e ka ndarë ZRRE pas këtij takimi të mbajtur më 28 prill 2026 në Bratislavë, Sllovaki.
Sipas ZRRE-së, Kosova ka qenë anëtare e asociuar e ERRA-s që nga themelimi i saj.
“Anëtarësimi me të drejta të plota përfaqëson një arritje të rëndësishme institucionale, duke mundësuar pjesëmarrje të plotë në proceset vendimmarrëse, përfshirë të drejtën e votës, si dhe një rol më të fuqishëm në zhvillimin dhe avancimin e praktikave rregullatore në nivel rajonal dhe ndërkombëtar.”, thuhet në njoftimin e ZRRE, transmeton Kosovo Energy.
Nga Rregulatori janë shprehur se ky zhvillim dëshmon përkushtimin e qëndrueshëm dhe angazhimin aktiv të ZRRE-së në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare të rregullimit të sektorit energjetik, si dhe kontributin e vazhdueshëm të ekspertëve të saj në forumet profesionale dhe iniciativat bashkëpunuese të ERRA-s.
Nëpërmjet këtij anëtarësimi, do të intensifikohet bashkëpunimin me rregullatorit e sektorit të energjisë ndërkombëtarë dhe do të kontribuojë në mënyrë aktive në zhvillimin e politikave dhe mekanizmave që mbështesin një sektor energjetik të sigurt dhe të qëndrueshëm.