Search

Fejzullahu: “Elektroseveri” do ta furnizojë vetëm veriun, ka të drejtë të blejë dhe të shesë energji me shumicë

24 Qershor, 2022


Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu, pas mbledhjes në të cilën u aprovua licencimi i “Elektroserverit” tha se ky vendim do të vlejë vetëm në katër komunat në veri të vendit.

Tutje, ai foli edhe për borxhet në veri, çështje e cila është diskutuar por që tha se nuk ka vendim konkret sesi do të veprohet tutje.

Fejzullahutha se kompania serbe ka të drejtë të blejë dhe të shesë energji me shumicë. Njëra ndër pikat e marrëveshjes, tha se i detyron që brenda 10 ditëve nga lëshimi i licencës për furnizim, Elektrosever të nënshkruajë marrëveshjet e nevojshme teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun energjetik të Kosovës.

“Përveç energjisë që kemi dërguar, kemi pasur asete të transmisionit. Në parim edhe sipas licencës, do të jetë furnizues komercial. Do të duhet të ofroheshin çmimet e tregut. Në rast se kemi raste të tilla, këto gjëra janë të sanksionuara. ZRrE-ja ka përcaktuar tarifa për tërë territorin e Kosovës. Në kuadër të marrëveshjes janë përmendur afatet dhe do të nënshkruajmë vendimin për aprovimin e licencës dhe janë të përshkruara në udhërrëfyes. Këta kanë të drejtë me i furnizua konsumatorët vetëm në këto 4 komuna. Elektroseveri ka të drejtë të blejë dhe të shesë energji me shumicë”, tha ai.

Elektrosever vetëm furnizon dhe nuk bën shpërndarjen e rrymës

Fejzullahu tha se kompania serbe “Drustvo Elektrosever” ka licencë vetëm për furnizim me energji elektrike dhe jo për shpërndarje.

Fejzullahu shtoi se aktualisht në Kosovë është e licencuar vetëm një kompani për shpërndarje të rrjetit dhe ajo është KEDS.

ZRRE-ja licencon “Elektroseverin” të operojë në veri

Lexo më shumë

“Elektroseveri ka pasur dy aplikacione. Një për furnizim me energji elektrike dhe një për distrubuim. U përmend edhe një mbledhje që ne ligjërisht kemi një operator të shpërndarjes dhe ai operator është KEDS-i, i cili në bazë të licencës mbulon të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Prandaj, me këtë arsye është refuzuar edhe aplikacioni i ‘Elektroseverit’ për licencë të distrubuimit meqenëse as marrëveshja e Brukselit nuk e parasheh licencën për distrubuim”, tha Fejzullahu.

Për borxhet në veri Kosova dhe Serbia mund të përfundojnë në Arbitrazh

Kryesuesi i Bordit të ZRrE-së tha se për borxhet e rrymës nga qytetarët nuk dihet ende se si të veprohet.

“Kjo çështje është diskutuar por ende nuk është vendim konkret sesi do të veprohet tutje. Në parim, domosdoshmërish do të duhej”, tha ai të premten në konferencë për media.

Tutje, ai tha se Kosova dhe Serbia mund të përfundojnë në Arbitrazh, nëse nuk arrijnë të gjejnë një zgjidhje për borxhet e rrymës në veri.

“Ne duhet me ritheksu, përveç energjisë që e kemi çu në veri, ne kemi pas edhe shfrytëzimin e asteteve të transmisionit për një kohë të gjatë, edhe në bazë të marrëveshjes së energjisë të vitit 2013, aty është e paraparë që në rast se KOST-i dhe EMS i Serbisë nuk gjejnë mirëkuptim për borxhet e pretenduara të ndërsjella, atëherë mund të shkojnë në procedurë të arbitrazhit”, tha ai.