Search

Ulja e kostos së energjisë solare për 60%, vendoset objektivi i ri i SHBA-ve për këtë dekadë

26 Mars, 2021


Këtë të enjte, Administrata e Biden vendosi objektivin e ri për të ulur kostot e energjisë solare për 60 për qind përgjatë dekadës së ardhshme, kjo si pjesë e planeve ambicioze për të dekarbonizuar sistemin energjetik në SHBA deri në vitin 2035.

Departamenti i Energjisë në SHBA (DOE) ka deklaruar se objektivi i ri i vendosur përshpejton objektivin e kaluar të kostos së energjisë solare në shkallë të shërbimeve për pesë vite.

Ulja e kostos së energjisë solare synon që të përshpejtojë instalimin e kapaciteteve të reja

Ndër shtyllat kryesore të agjendës së Presidentit Biden për të luftuar ndryshimet klimatike është që sistemi energjetik në SHBA të operojë vetëm me energji të pastër brenda 15 viteve të ardhshme.

Në këtë mënyrë, theks të veçantë duket se i është dhënë avansimit të instalimit të kapaciteteve të energjisë solare.

“Kapacitetet e reja të energjisë solare do të duhet të instalohen për 5 herë më shpejtë se sa është trendi i instalimit sot”, ka thënë Departamenti i Energjisë së SHBA.

Financimi i alokuar nga qeveria Amerikane synon të avansojë teknologji të reja më të lira, por edhe të bëjë më të qëndrueshme teknologjitë ekzistuese

Për të arritur aty, departamenti është përkushtuar për të shpenzuar 128 milion dollar në teknologji duke përfshirë investimet në qelizat diellore perovskite, që konsiderohen të jenë një alternativë më e lirë se qelizat e silikonit që dominojnë tregun e paneleve solare.

Fondet poashtu mbështesin kërkimet për kadmium telurid dhe teknologjitë diellore përqendruese.

Tutje, është bërë e ditur që një pjesë e financimit poashtu do të synoj që të zgjasë jetën apo funksionimin e fotovolatikëve ekzistues duke përmirësuar kompenentët e saj si inverterët, kabllot dhe raftet ku vendosen panelet.

“Shpërthimi i parë i financimit do të na ndihmojë që të shtojmë edhe më shumë energji të pastër dhe të përballueshme në rrjet, vende të punës anë e mbanë vendit, dhe do të na vendos në autostradën drejt objektivit të Presidentit Biden për të arritur 100% energji të pastër deri në 2035”, tha Sekretari për Energji Jennifer Granholm në një deklaratë.

Aktualisht energjia solare përbën kapacitetet e reja që instalohen më së shumti në baza vjetore në SHBA, zgjerimi i prodhimit në Kinë ka ndikuar ndjeshëm në uljen e kostove

Tutje, DOE ka nënvizuar se kostoja e gjenerimit të energjisë nga dielli ka rënë për më shumë se 80% në dekadën e fundit, duke e bërë më kompetitive me impiantet gjeneruese me karburante fosile si thëngjilli dhe gazi natyral.

Në një shënim më mbresëlënës, sipas të dhënave të qeverisë Amerikane energjia solare aktualisht llogaritet të ketë pjesën më të madhe vjetore të kapaciteteve gjeneruese të reja në SHBA.

Departamenti i Energjisë në SHBA ka vënë objektiva ambiciozë për energjinë solare edhe në të kaluarën.

Në 2017, departamenti kishte thënë që objektivi i atëhershëm i kostos ishte arritur tri vite më herët se ç’ishte planifikuar për shkak të rënies së kostove për panele solare që ndodhi pë shkak të zgjerimit të prodhimit në Kinë.