Search

Ukraina po ndërton centralin më të madh bërthamor në Evropë

September 09, 2024


Bombardimet ruse kanë shkatërruar rreth 50 për qind të kapaciteteve të Ukrainës për prodhimin e energjisë elektrike që nga fundi i marsit, sipas presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ndërsa vendi përballet me një krizë të madhe energjetike, Ukraina i është drejtuar kompanisë amerikane energjetike Westinghouse, për ndihmë në zhvillimin e reaktorëve bërthamorë të gjeneratës së ardhshme, që do të plotësojnë nevojat e saj për energji elektrike.

Përpara agresionit të Rusisë në vitin 2022, energjia bërthamore plotësonte gjysmën e nevojave të Ukrainës, dhe Kievi varej nga Moska për karburant dhe shërbime bërthamore. Lufta i dha fund kësaj varësie dhe tregtisë mes dy vendeve. Zelensky tha se që nga fundi i marsit, sulmet ruse kanë shkatërruar rreth gjysmën e kapaciteteve të vendit për të prodhuar energji elektrike.

“Situata e burimeve energjetike të Ukrainës ka ndryshuar në mënyrë dramatike që nga pushtimi i centralit bërthamor Zaporizhzhia, pushtimi i pothuajse një të tretës së infrastrukturës së energjisë së gjelbër dhe shkatërrimi i një pjese të madhe të aftësive të prodhimit të energjisë termike”, tha Stanislav Ignatiev nga Shoqata Ukrainase e Energjisë së Rinovueshme.

Në centralin bërthamor Khmelnytskyi në Ukrainën perëndimore, punonjësit po ndërtojnë dy reaktorë të rinj bërthamorë me ndihmën e gjigantit amerikan të energjisë, Westinghouse.

Zëri i Amerikës bisedoi me Andriy KozyUra, drejtorin e përgjithshëm të centralit bërthamor Khmelnytskyi, i cili tha se “zona e centralit bërthamor është gati për ndërtim, pasi kanë përfunduar proceset e tjera për planifikimin e territorit, logjistikën dhe sistemin e ndërlidhjes”.

Kompania amerikane, Westinghouse ka vepruar në Ukrainë për disa dekada, por që nga pushtimi rus, bashkëpunimi është intensifikuar. Westinghouse ka ndihmuar Ukrainën të anashkalojë kompaninë ruse Rosatom, siç theksoi Ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko, “përpara fillimit të luftës, gjetëm burime të larmishme furnizimi me lëndë djegëse. Së bashku kemi prodhuar lëndë djegëse për disa reaktorë bërthamorë, duke eliminuar monopolin e Rosatom në treg. Kemi plane të mëdha dhe të përbashkëta për të ardhmen”.

Në vitin 2022, firmat Westinghouse dhe Energoatom ranë dakord për ndërtimin e nëntë reaktorëve të rinj bërthamorë në Ukrainë, bazuar në teknologjinë amerikane. Petro Kotin, shefi i Energoatom, theksoi se “kjo është teknologjia më e fundit dhe më moderne, teknologjia më e sigurt me masa sigurie shtesë”.

Ndërtimi i një reaktori bërthamor kërkon pesë vite dhe ka një kosto prej pesë miliardë dollarësh. Stephan Kushnir, drejtues i bordit të centralit bërthamor, shtoi se “ndërtimi është një proces i gjatë, por furnizimi me energji të përftuar nga centralet me gaz, diell, era dhe bioenergjia – kjo është diçka që mund të zbatohet në afat të shkurtër dhe do të ndihmojë gjatë sezonit të dimrit”.

Centrali Khmelnytskyi pritet të zëvendësojë Zaporizhzhian, duke u bërë centrali më i madh bërthamor në Evropë.