Search

U mbajt punëtoria për Ankandin Publik për Energji të Ripërtëritshme

04 Gusht, 2020


Sot në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit është mbajtur një punëtori virtuale me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Pjesë e kësaj punëtorie ishte ministri z. Blerim Kuçi me ekipin e tij të këshilltarëve dhe Departamenti i Energjisë në MEA, i kryesuar nga udhëheqësi i këtij departamenti, z. Luan Morina.

Tema e punëtorisë mes MEA-së dhe BERZH-it ishte asistenca për Ankandin Publik për Energji të Ripërtëritshme. Udhëheqësi i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Kosovë, Neil Taylor e ka hapur punëtorinë duke e vlerësuar se ky ankand është i rëndësishëm dhe ka treguar që ky proces do të jetë i suksesshëm, pas përvojës së njëjtë që kanë pasur në Shqipëri. Z. Taylor ka prezantuar edhe z. Andreas Gunst, ekspert i angazhuar për çështjen e Ankandit Publik për Energji të Ripërtëritshme.

Ministri z. Blerim Kuçi i falënderoi BERZH-in për këtë asistencë, teksa e konfirmoi angazhimin e tij për procesin e Ankandit Publik për Energji të Ripërtëritshme.

“Ky proces ka filluar nga ministrat paraprak dhe unë natyrisht që do ta vazhdoj. Për neve është shumë i rëndësishëm liberalizimi i tregut të energjisë dhe ne do të vazhdojmë me këto procedura. Ajo që neve na bën të ndihemi të sigurt, është përvoja e BERZH-it në një proces të njëjtë. Po e konfirmoj që do të bëjmë të gjitha punët për liberalizimin e tregut dhe tregun konkurrues për Energji dhe Ripërtëritshme”, ka thënë Kuçi.

Më tej, ministri Kuçi u ka bërë me dije BERZH-it dhe ekipit të konsulencës që duhet të bëhet një identifikim i shpejtë i bazës ligjore, pasi ndryshimet në bazë ligjore marrin kohë për ndryshim nëpërmes Kuvendit të Kosovës.

Pjesë e kësaj punëtorie ishte edhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).