Search

Tre përdoruesit më të mëdhenj të thëngjillit në botë po bëhen gati të djegin më shumë thëngjill

16 Mars, 2021


Tre nga konsumuesit më të mëdhenj në botë të karburantit fosil më ndotës, thëngjillit, janë duke bërë përgatitje që të rrisin përdorimin e këti burimi në të ardhmen e afërt, shkruajnë mediat ndërkombëtare.

Padyshim, rritja e përdorimit të thëngjillit pritet të sjellë më shumë ndotje dhe emetim të ndotësve në nivele që shpërfillin ndikimet pozitive nga rënia e nivelit të emetimeve gjatë krizës pandemike.

Sipas Administratës për Informim për Energji (EIA), termocentralet në SHBA do të konsumojnë 16 për qind më shumë thëngjill këtë vit se sa në vitin 2020, dhe 3 për qind më shumë në vitin 2022.

Edhe gjigantët tjerë të thëngjillit, Kina dhe India, duket se nuk e kanë ndërmend të zvogëlojnë prodhimin dhe përdorimin e thëngjillit në të ardhmën e afërt.

SHBA-të, Kina dhe India së bashku përbëjnë 2/3 të kërkesës për thëngjill.

Biden mund të ndryshojë trendin e rritjes së konsumit të thëngjillit

Rritjës së përdorimit të qymyrit në SHBA pas lirimit të masave të pandemisë mund t’ia ndal hovin Presidenti Biden, i cili ka rritur përkushtimin dhe zotimet për të reduktuar emetimet e gazrave serrë.

Ndërsa Joe Biden ka thënë se do të rivendosë SHBA-të në pozitën e liderit në fushën e mbrojtjen së mjedisit dhe do të përshpejtojë agjendën klimatike, rritja e përdorimit të qymyrit vetëm vështirëson arritjen e këtyre qëllimeve.

‘Ne do të përjetojmë një rritje të theksuar të emetimeve’, ka thënë Amanda Levin, analiste e politikave në Këshillin e Mbrojtjes së Burimeve Kombëtare. Ajo ka paralajmëruar se vlerat e konsumit të thëngjillit nga termocentralet në SHBA do të rikthehen në nivelet e vitit 2019.

Ndërsa përpjekjet e Biden deri më tani nuk kishin në fokus energjinë e pastër, ligji i ri që pritet të miratohet për infrastrukturë pritet të adresojë premtimet e tij gjatë fushatës për ndryshime klimatike.

Sipas Levin, nëse Biden vendosë të zbatojë politikat për energji të gjelbër ashtu siç kishte premtuar, ndryshimet mund të ndodhin mjaft shpejtë.

Ndryshe, Presidenti Biden ka thënë se SHBA-të synojnë të bëhen neutral ndaj karbonit deri në vitin 2050. Administrata e tij ka paralajmëruar takim gjatë muajit prill, në të cilin pritet të marrin pjesë edhe dy konsumuesit tjerë më të mëdhenj të thëngjillit, Kina dhe India.

Gjysma e termocentraleve në Kinë kanë më pak se 10 vite, kjo vështirëson dekarbonizimin

Përvec Biden, edhe Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka konfirmuar se Kina ka përcaktuar vitin 2060 si viti kur do të arrijë nivelin me ‘zero emetime’. India pritet të ndjekë shembull të njejtë.

Për dallim nga Biden, bota është befasuar me premtimet e Jinping kjo pasi përkundër zvogëlimit të pjesëmarrjes së thëngjillit në miksin energjetik, Kina ka përjetuar rritje të konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike dhe kësisoji, edhe nivelet e përdorimit të thëngjillit janë rritur.

Mirëpo, rruga e dekarbonizimit e Kinës vështirësohet edhe më shumë nga fakti se ky vend ka flotën më të madhe të termocentraleve të thëngjillit, shumica nga të cilat kanë më pak se 10 vite që operojnë dhe mund të operojnë edhe për disa dekada tjera.

‘I gjithë ky kapacitet i instaluar nuk mund të largohet brenda natës’, ka thënë Dennis Wamsted, analist në Institutin për Ekonomi të Energjisë dhe Analiza Financiare (IEEFFA).

Indi zgjeron kapacitetet e mihjeve për të adresuar kërkesën në rritje për thëngjill

Është raportuar se edhe india është larg nga arritja në nivelet me ‘zero emetime’, ndonëse Kryeministri i këtij vendi ka thënë se vendi i tij ka bërë progres të jashtzakonshëm.

Ndër zotimet, India ka thënë se do të reduktojë intensitetin e nivelit të emetimeve nga 33 për qind deri në 35 për qind nga 2005 deri në vitin 2030.

Mirëpo, ndërsa India ka filluar zbatimin e projekteve ambicioze të energjisë solare, thëngjilli vazhdon të përbëjë rreth 70 për qind të gjenerimit të energjisë elektrike.

Vetëm këtë vit konsumi i thëngjillit nga termocentralet në Indi pritet të rritet për 10 për qind, sipas Bloomberg Intelligence, ndërsa i njejti trend i rritjes do të vazhdojë deri më së largu në vitin 2027.

Ndërsa për t’u bërë gati për këtë rritje, Coal India, prodhuesi më i madh i thëngjillit në Indi ka miratuar investime prej më shumë se 8.1 miliardë dollarësh amerikan në zgjerimin e mihjeve.

Kompania pret rritje të shpejtë të konsumit pasi industritë, përfshirë ato të metalit, çimentos dhe aluminit do të kthejnë prodhimin në nivele normale, siç ishin para pandemisë.

‘Kërkesat për energji elektrike në Indi nuk do të lejojnë që të braktiset thëngjilli menjëherë’, ka thënë Binay Dayal, drejtori teknik i kompanisë Coal India.

Rritja e çmimit të gazit në SHBA, avantazh afatshkurtër për thëngjillin

Pasi pësoi rënie për 19 për qind si pasojë e konsumit më të vogël të rrymës në kohë të masave pandemike, në SHBA thëngjilli është rikthyer në treg.

Në këtë rritje të sërishme të thëngjillit ka ndikuar edhe çmimi në rritje i gazit natyror. Çmimi i gazit natyror ka shënuar rritje prej rreth 40 për qind krahasuar me nivelet e një viti më herët.

Kështu, sipas një logjike të thjeshtë ekonomike, kur çmimet e gazit natyror shënojnë rritje, ndërmarrjet fillojnë të djegin lëndë më të lirë sikurse thëngjillin, për të ulur shpenzimet. Kjo logjikë nuk merrë parasysh ndotjen dy herë më të lartë të shkaktuar nga thëngjilli.

Ndërkohë, IEA ka paralajmëruar se çmimet e gazit do të vazhdojnë të jenë të larta edhe gjatë vitit 2022, dhe kësisoji, çmimet do të ndikojnë që edhe kërkesa për thëngjill të ketë rritje të theksueshme në vitin në vijim.

Në periudhë afatgjate e ardhmja e thëngjillit duket e ‘zbehtë’

E ndërsa konsumi i thëngjillit nga prodhues të rëndë mund të vazhdojë rritjen, raportet theksojnë se disa lloje të industrisë janë duke larguar përdorimin e këtij burimi për shkak të çasjes së lehtësuar në burime të ripërtëritshme të energjisë apo edhe gaz.

Vende si Bangladeshi janë duke braktisur të gjitha projektet e planifikuara me thëngjill, e ndërsa Filipinet kanë ndaluar ndërtimin e termocentraleve të reja të thëngjillit.

‘Trendi është në rënie dhe do të vazhdojë kësisoji’, tha Wamsted nga Ieefa.

Procesi i ndërtimit të termocentralit të ri me thëngjill ishte ndërprerë edhe në Kosovë, pasi kompania e kontraktuar për ndërtimin e termocentralit ishte tërhequr nga projekti në mars të vitit të kaluar.

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane, ContourGlobal, për ndërtimin e këtij termocentrali me kapacitet 500 megavat, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro.

Në mars të vitit 2020, kompania ContourGlobal kishte njoftuar se do të tërhiqet nga planet për ndërtimin e termocentralit, me arsyen se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen, por po ashtu ishin theksuar edhe ndryshimet politike që kishin ndodhur në Kosovë.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, në periudhë afatshkurte thëngjilli mund të përjetojë një ringjallje, pas dy viteve që ishte në rënie.