Search

Slloveni: Impianti i ri bërthamor 1 gigavatësh mund të kushtojë 9.3 miliardë euro

31 Maj, 2024


Kapaciteti optimal i njësisë së re bërthamore Krsko 2 në Slloveni, për sa i përket ndikimit në rrjet, vlerësohet deri në 1300 megavat, ndërsa për 1000 megavat investimi vlerësohet në 9.3 miliardë euro.

Kompania GEN Energija nga Sllovenia ka prezantuar rezultatet e studimit të bërë për ndikimet e njësisë së re bërthamore në rrjet si dhe për vlerën e përgjithshme të investimit në projekt.

Propozimi dhe studimi i është dërguar edhe qeverisë sllovene, në mënyrë që të fillohet me procedurat e planifikimit hapësinor si dhe ato të ndërtimit të këtij impianti, raporton Balkan Green Energy News.

Në Slloveni, po vazhdojnë diskutimet për projekt ndërsa për zbatimin e tij qytetarët do të vendosin përmes referendumit. GEN Energija ka thënë se do të hapë zyre informimi për projektin në ndërtesën e komunës së Krsko, dhe se do të organizojë prezantime të veçanta në disa qytete në Slloveni.

Aleksandar Momirovski nga Milan Vidmar Electrical Institute ka prezantuar studimin e ndikimit të impiantit në rrjet, duke konsideruar verzione të ndryshme të impiantit, me 1000 deri në 2400 megavat kapacitete prodhimi të rrymës të instaluara.

Për siguri dhe stabilitet të sistemit, më së miri do të ishte që impianti i ri bërthamor të kishte 1300 megavat kapacitete të instaluara prodhimi, ka thënë Momirovski, ndërsa ka shtuar se njësisë së re do t’i nevojiteshin shërbime balansimi, përcjell Kosovo.Energy.

Në anën tjetër, udhëheqësi i financave në GEN Energija, Kruno Abramovic prezantoi vlerësimin për vlerën e investimit në impiant. Sipas të dhënave të mbledhura, një impiant i tillë me 1000 megavat kapacitete prodhimi të instaluara do ë kushtonte 9.3 miliardë euro, ndërsa 15.4 miliardë do të duhej të investoheshin sikur impianti të kishte 1650 megavat kapacitete prodhimi të instaluara.

Ndërmarrja ka thënë se kjo përllogaritje nuk përfshinë shpenzimet e financimit dhe ka thënë se do të kontraktojë një kompani të jashtme për të bërë auditimin e raportit. Të gjitha rezultatet do të publikohen para referendumit, ka thënë Ambramovic.

Cmimi i rrymës së prodhuar nga impianti i ri bërthamor, varësisht nga shuma e përgjithshme e investimit, do të jetë ndërmjet 66 – 144 euro për megavat orë.

GEN Energija gjithashtu ka thënë se do të bëjë të ditur mënyrat e financimit të projektit si dhe burimet, ndërsa ka shtuar se marrë parasysh shumën e lartë që nevojitet për ndërtim, roli i qeverisë do të jetë shumë i rëndësishëm, përcjell Kosovo.Energy.

Në fund, zyrtarët e GEN Energija kanë thënë se impianti i ri do të sigurojë furnizim të rregullt me energji elektrike për së paku 60 vite, dhe deri në 80, nëse jetëgjatësia e tij do të shtyhej. Ky investim do të krijojë 5640 vende pune në 10 vite.

/Kosovo.Energy