Search

Shqipëria shpenzoi mbi 3.5 milionë euro në vetëm një javë për të blerë energji elektrike

26 Qershor, 2024


Mbi 3.5 milionë euro në vetëm një javë. Kaq para ka shpenzuar KESH për të blerë energji elektrike.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka hapur dy tenderë me anë të së cilëve ka blerë 41 mijë e 532 megavat/orë energji, me çmim mesatar 85.6 euro.

Kjo për shkak të mungesës së reshjeve dhe parashikimeve për vijim të thatësisë e cila pritet të bëhet edhe më e ashpër në dy muajt në vijim. Rrezet e forta të diellit kanë ulur në 290 metër rezervën hidrike në liqenin e Fierzës, më të madhin në kaskadën e Drinit.

Të dhënat nga bursa hungareze HUPX tregojnë se për shkak të kërkesës së lartë që shumë vende europiane po kanë, çmimi i energjisë elektrike po rritet. Nga më pak se 100 euro të mërkurën, një megavat energji është rritur në mbi 125 euro.

Dalja në importe e KESh vjen pas shumë muajsh shitje të energjisë si pasojë e mbiprodhimit. Kryesisht në prill e maj, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare kishte provuar të menaxhonte rezervën hidrike me anë të procedurës së optimizimit. Pra KESH shiste energji në periudhë piku dhe blinte në kohën kur energjia ishte më e lirë.

Importet e energjisë pritet të vijojnë së paku deri në fundin e muajit gusht për të përballuar edhe kërkesën e shtuar që vjen nga turizmi.