Search

Shqipëria, progres në Reformat e Tregut të Energjisë: Prezantohet raporti vjetor i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë

11 Prill, 2024


Shqipëria ka arritur progres të moderuar në reformat e tregut të energjisë, por duhet të shtojë përpjekjet në këtë drejtim.

Gjatë prezantimit të raportit vjetor në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, përfaqësuesi i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, nënvizoi faktin se Shqipëria ka përparuar në zbatimin e Direktivës së Performancës Energjetike të Ndërtesave, duke përfshirë këtu certfikimin e tyre.

Megjithatë, nevojitet më tepër progres në fushën e eficiencës së energjisë, veçanërisht finalizimi i kuadrit ligjor për zbatimin e ligjit dhe financimi për rinovimin e ndërtesave të banimit.

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, pret që vendi ynë brenda vitit 2025 të transpozojë dhe zbatojë pa vonesa Paketën e Intregrimit të Energjisë Elektrike. Ky do të jetë edhe parakusht për bashkimin e tregut tonë me tregun e brendshëm të Bashkimit Evropian. Gjithashtu, do të punohet për një startegji afatgjatë për arritjen e objektivave të vendosura nga BE për klimën.

Ndërtesat janë konsumatori më i madh i energjisë, prandaj ky sektor është vendimtar për arritjen e synimeve të Bashkimit Evropian për energjinë dhe klimën. Për të rritur performancën energjetike të ndërtesave, BE-ja ka hartuar një kuadër legjislativ që përfshin Direktivën e Performancës së Energjisë së Ndërtesave dhe Direktivën e Eficiencës së Energjisë, të cilat promovojnë politika që do të ndihmojnë në arritjen e një stoku ndërtesash me efikasitet të lartë energjetik dhe të dekarbonizuar deri në vitin 2050.

/SCAN