Search

Shqipëri: Voltania avancon me projektin e Karavastasë, ndërtimi nis në tremujorin e tretë

02 Mars, 2021


Kompania Karavasta Solar përfaqësuese e Voltania në Shqipëri dhe që do të zbatojë projektin e impiantit fotovoiltaik me kapacitet të instaluar 140 MW ka dorëzuar së fundmi përmbledhjen joteknike për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të Thelluar pranë autoriteteve.

Ky dokument është kyç në dhënien e miratimit të zbatimit dhe kalon përmes Agjencisë Kombëtar të Mjedisit. Në dokumentin e dorëzuar dhe të hartuar nga kompania konsulente e Karavasta Solar jepen detaje lidhur me ecurinë që do të ketë zbatimi ku nënvizohet se të paktën për një periudhë 3 mujore do të duhet që të bëhen punime për të bërë gati terrenin ndërkohë që vendosja e paneleve do të kërkojë edhe 8 muaj të tjerë.

Vendndodhja e projektit të propozuar ndodhet në Lindje të fshatrave Ndërmenas dhe Hasturkas, në Juglindje të fshatrave Adriatik dhe Metaj dhe në Veri të Lagunës së Karavastasë. Sipas dokumentit toka në dispozicion të Projektit do jetë gjithsej 210 Ha tokë, nga e cila do përdoren vetëm 196.38 ha për vendosje panelesh.

Projekti sipas përmbledhjes kërkon një linjë transmetimi 220 kV (linje ajrore) për të lidhur projektin me rrjetin kombëtar elektrik. Aktualisht ekzistojnë dy alternativa të linjës ajrore, të dyja lidhen me nënstacionin e vendosur në zonën periferike të qytetit të Fierit, me gjatësi respektive 21 km dhe 21.4 km. Të dy alternativat janë të vendosura në qarkun e Fierit dhe ne Njësitë Administrative të Bashkisë Fier.

Pesë kompani kanë dorëzuar ofertat për parkun solar 100 megavatësh në Spitallë

Lexo më shumë

I njëjti dokument saktëson se ndërtimi i projektit është planifikuar të fillojë në tremujorin e parë të 2021 dhe të jetë në funksionim të plotë në ntremujorin e parë të 2022. Energjia elektrike e prodhuar nga projekti do të eksportohet përmes linjave të energjisë në nënstacionin aty pranë për transmetim dhe shpërndarje përmes rrjetit kombëtar, ndërtimi i të cilit është planifikuar të ndodhin paralelisht me elementin FV të Projektit. Parashikohet që gjatë fazës së ndërtimit të punësohen deri në rreth 200 persona.

Impianti fotovoltaik i Karavastasë

Qeveria zhvilloi procedurën për impiantin e Karavastasë gjithë vitit 2020 dhe shpallja e kompanisë fituese në këtë rast Voltalia u bë në muajin maj. Kompania ofroi një çmim 24,89 euro për megavat, shumë më i favorshëm sesa tavani prej 55 eurosh për megavat që kishte vendosur më herët Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në dokumentet e saj. Parku fotovolatik i Karavastasë është projektuar me fuqi 140 MW, ku 70 megavat janë të ndara për prodhim dhe shitje në treg të lirë dhe 70 megavat me çmim të rregulluar. Çmimi i rregulluar zgjat për 15 vite dhe do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë.

Qeveria ka aktualisht të hapur garën për impiantin fotovoltaik të Spitallës i parashikuar të ndërtohet në një sipërfaqe 120 hektarë. Kapaciteti i instaluar është parashikuar 100 Mw nga të cilat 70 MW do të blihen nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nëpërmjet një kontrate për blerjen e energjisë me çmim të paracaktuar dhe 30 MW do të tregtohen në treg të lirë.

Sipas kalendarit të parashikuar më herët pritet që në datë 2 mars të bëhet hapja publike e ofertave dhe shpallja e fituesit.

/ monitor.al