Shqipëri: Rriten kapacitetet energjetike në nënstacionin elektrik të Kuçovës
29 Mars, 2024
Dyfishohen kapacitetet transmetuese të nënstacionit elektrik të Kuçovës, duke përmirësuar parametrat teknikë dhe rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike në qarkun e Elbasanit dhe Fierit.
Përmes një investimi të realizuar nga Operatori i Sistemit të Transmetimit pajisjet e vjetra, të cilat ishin prodhime të viteve ’50 – ’60, janë zëvendësuar dhe janë instaluar panele të reja të komandimit dhe mbrojtjes.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka inspektuar investimin e realizuar në këtë nënstacion. Në një postim ne rrjetet sociale Balluku bën të ditur se edhe OSSH do të nisë një tjetër investim në po të njëjtin nënstacion, duke përmirësuar më tej fuqinë e tij dhe ulur humbjet teknike.
Balluku thekson se nënstacionet e integruara, të cilat menaxhohen nga OST dhe OSSH, janë çelësi i suksesit sa i takon investimeve në kapacitetet energjetike.
“Nënstacionet e integruara janë tashmë çelësi i suksesit përsa i përket investimeve në kapacitetet e energjisë elektrike. Kështu është edhe rasti i nënstacionit të Kuçovës ku OST ka investuar duke përmirësuar parametrat teknikë, si dhe rritur sigurinë e furnizimit me energji elektrike. Pajisjet e vjetra, të cilat ishin prodhime të viteve ’50 – ’60, janë zëvendësuar dhe janë instaluar panele të reja të komandimit dhe mbrojtjes. Tashmë është radha e OSSH për të vijuar me investimet në këtë nënstacion, për të arritur parametrat e kërkuar edhe për uljen e humbjeve, që në 31 dhjetor të vitit 2024, duhet të kapin targetin e vendosur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë prej 17.96% humbje teknike”, shkruan Balluku.
Ngritja e bazës ajrore të Kuçovës, por edhe zhvillimet e tjera në zonë, shtojnë rëndësinë e këtij nënstacioni, duke ju përgjigjur këtyre zhvillimeve.